Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, realizoi takim me Ministrin polak për Çështje Evropiane, Adam Shlapka, në kuadër të vizitës së tij të punës në Varshavë të Polonisë. Takimi u mbajt në frymën e shënimit të fillimit të kryesimit polak me Këshillin e Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutuan prioritetet e kryesimit polak, me theks të veçantë përforcimi i perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Ministri Murtezani theksoi arritjet e deritanishme të Maqedonisë së Veriut në negociatat aderuese me BE-në dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes nga vendet anëtare për avancimin e mëtejshëm të procesit integrues.
Ministri Shlapka konfirmoi përkushtimin e Polonisë për mbështetje aktive të aspiratave evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të kryesimit polak.
Dy ministrat u dakorduan se përforcimi i bashkëpunimit rajonal, stabiliteti ekonomik dhe zbatimi i reformave janë të rëndësisë thelbësore për krijimin e rajonit të qëndrueshëm dhe prosperues.
Ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë dhe potencoi se dialogu aktiv me vendet anëtare të BE-së është kyçe për zbatimin e suksesshëm të procesit aderues.
Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj evropiane ndërkaq kryesimi polak është mundësi shtesë për përforcimin e qëllimeve të përbashkëta për Ballkan të qëndrueshëm, të integruar dhe prosperues.