Lajme
13.12.2024 11:15
Në kuadër të vizitës së tij të punës në Republikën e Moldavisë, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, sot në Kishinev zhvilloi takim me Zëvendëskryetaren e Qeverisë së Republikës së Moldavisë, përgjegjëse për eurointegrime, Kristina Gerasimov. Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi bilateral dhe ambiciet e përbashkëta për progresin në rrugën drejt BE-së, me çka përforcohen lidhjet përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Ministri Murtazani theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe partneriteteve strategjike midis vendeve kandidate dhe aspirantë nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Lindore. Bashkëbiseduesit ranë dakord se përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i praktikave të mira janë thelbësore për të siguruar progres të vazhdueshëm drejt anëtarësimit në BE. Murtazani përshëndeti rolin proaktivë të Moldavisë në promovimin e vlerave evropiane dhe konfirmoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të thelluar këtë bashkëpunim përmes aktiviteteve dhe nismave konkrete.
Takimi u rrumbullakua me nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim mes Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë, i cili vendos bazën për shkëmbim të rregullt të përvojave dhe praktikave më të mira në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe për përforcimin e kapaciteteve të institucioneve të të dyja vendeve. Ky bashkëpunim do të fokusohet në fusha siç janë legjislacioni evropian, menaxhimi me fondeve të BE-së dhe përforcimi i efikasitetit institucional, me qëllim të përmirësimit dhe zbatimit të reformave dhe gatishmërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.