Lajme
16.12.2024 04:00
Sot, në Ministrinë për Çështje Evropiane u mbajt seanca konstituive e grupit punues për krijimin e modelit për mekanizmin nacional për verifikimin (screening) e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, ku foli edhe ministri për çështje evropiane, Orhan Murtazani. Ministri Murtazani u autorizua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të formuar Grupin e Punës, propozimi i të cilit për përbërjen e anëtarëve u miratua në seancën e fundit të Qeverisë.
Murtazani, para anëtarëve të Grupit të Punës, theksoi se krijimi i një mekanizmi nacional për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta është veçanërisht i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, jo vetëm si një konfirmim që politikat nacionale ndjekin trendet dhe politikat e partnerëve tanë strategjikë, BE dhe SHBA, por edhe si një konfirmim që shteti ka kapacitet për të krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale për t’u trajtuar me rreziqet e mundshme për sigurinë, rendin dhe paqen publike që lidhen me investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Grupin e Punës e përbëjnë: kryetari Dragan Tilev, i cili vjen nga Ministria për Çështje Evropiane, zv. kryetari, 13 anëtarë dhe zëvendësit e tyre. Detyra e Grupit të Punës është hartimi dhe propozimi i një zgjidhjeje ligjore për krijimin e një sistemi nacional funksional për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, i cili do të jetë i kompatibil me sistemet kombëtare për verifikimin e investimeve të huaja të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe në korelacion me Rregulloren e BE-së për mekanizmin e koordinimit të skanimit të Investimeve të huaja të Drejtpërdrejta (FDI 2019/452)
Në vijim është fjalimi integral i Ministrit për Çështje Evropiane, Murtazani:
Të nderuar anëtarë të grupit të punës për krijimin e modelit për mekanizmin nacional për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, me ҫka sigurohet kontinuiteti i punës së deritanishme, nën koordinimin e Ministrisë për Çështje Evropiane.
Krijimi i një mekanizmi nacional për skriningun e investimeve të huaja të drejtpërdrejta është veҫanërisht i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, jo vetëm si një konfirmim që politikat nacionale ndjekin trendet dhe politikat e partnerëve tanë strategjikë, BE dhe SHBA, por edhe si një konfirmim që shteti ka kapacitet për të krijuar një kornizë ligjore dhe institucional për t'u përballur me rreziqet e mundshme për sigurinë dhe rendin dhe paqen publike që lidhen me investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Si një vend që ka filluar negociatat e aderimit në korrik të vitit 2022, në skriningun bilateral për Kapitullin e 30 të Marrëdhënieve të Jashtme (pjesë nga Klasteri i 6), tashmë kemi marrë përsipër detyrimin për të definuar një system nacional dhe zgjidhje ligjore për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, i cili do të ndërtohet në mënyrë inkluzive me të gjitha palët e përfshira dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është theksuar gjithashtu edhe në Raportin e Skriningut për Klasterin 6, ku Komisioni vëren se planifikon të miratojë legjislacionin deri në fund të vitit 2025 dhe të ketë sistem funksional deri në vitin 2026.
Ky detyrim është gjithashtu i lidhur me përpjekjet në kuadër të Procesit të Berlinit, pasi që në Samitin e fundit u miratua një dokument për kritere rajonale për krijimin e mekanizmit nacional për skrining të investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Dhe përfundimisht, mekanizmi për skanimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, përfaqëson pjesë integrale të Dialogut Strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve.
Regullorja e BE-së është komplekse dhe rëndësia e saj vazhdimisht po rritet, në një botë e cila po ndryshon dhe po polarizohet. Investimet e huaja duhet të kontrollohen për kapitalin koroziv – financim i cili ka ndikim politik në vend të përfitimeve ekonomike. Ky lloj kapitali shpesh herë vjen nga regjimet autoritare dhe i shfrytëzon dobësitë institucionale për të ndikuar në ngjarjet ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit.
Prandaj, ky Grup i Punës ka një detyrë të rëndësishme përpara, dhe ajo është hartimi dhe propozimi i një zgjidhjeje ligjore për krijimin e një sistemi nacional funksional për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, i cili do të jetë kompatibil me sistemet nacionale për kontroll të investimeve të huaja të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe në korrelacion me Regulloren e BE-së për mekanizmin për koordinim të skriningut të Investimeve të huaja të drejtpërdrejta (FDI 2019/452, neni 3 i Vendimit).
Megjithatë, është mirë që nuk po fillohet nga e para, pasi gjatë vitit 2022/2023 u bënë vlerësime dhe analiza gjithëpërfshirëse për krijimin e një kornize ligjore dhe institucionale nacionale si bazë për punën tuaj, dhe propozimi është që mekanizmi të ketë dy nivele – niveli i parë është mekanizmi nacional për skriningun e Investimeve të huaja të Drejtpërdrejta (SDI), ndërsa niveli i dytë është aftësia e mekanizmit tonë për koordinim me të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe me Komisionin Evropian.
Implementimi i kësaj rregulloreje do të nënkuptonte që Maqedonia e Veriut do të përshtatet me të gjitha masat dhe sanksionet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Përbashkët të Bashkimit Evropian, dhe si anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë sanksionet e vendosura nga Komiteti i SHBA-së për investime të huaja dhe nga partnerë të tjerë në NATO, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, e kjo do të thotë se do të "mbyllim" hapësirën tonë territoriale për kapital të dëmshëm. Në afat të gjatë, do të sigurohet një hapësirë për krijimin e një strukture ekonomike të shëndetshme, të qëndrueshme ndaj ndikimeve në vend, dhe për sigurinë e një shoqërie të shëndetshme, të sigurt dhe ekonomikisht të begatë. Operatorët ekonomikë me kapital të pastër do të ndihen më të sigurt, dhe konkurueshmëria e tyre do të sigurohet si në nivel nacional, ashtu edhe në nivelin e Bashkimit Evropian.
Me këtë, jemi të sigurt se po ecim drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë për Maqedoninë e Veriut, në të cilën siguria dhe rendi dhe paqja publike janë të garantuara.
Në fund, do të theksoja se e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen që po marrim nga partnerët dhe organizatat tona ndërkombëtare, Ambasada e SHBA-së (përfaqësuesit e së cilës janë gjithashtu anëtarë të jashtëm të Grupit të Punës), Qendra për Ndërmarrësit Privatë Ndërkombëtarë (CIPE) dhe Programi për Zhvillimin e Ligjit Tregtar (CLDP), si dhe bashkëpunimin me organizatën vendore të mendimit, Instituti për Demokraci Societas Civilis.