Lajme
08.5.2013 16:03
Shpresoj se kemi kapacitet dhe guxim për tejkalimin sa më të shpejtë të të gjitha sfidave, përfshirë dhe atë të kontestit të emrit, duke gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, me qëllim që një ditë të jemi pjesë e familjes së njëjtë Evropiane sepse na pret një e ardhme e njëjtë.
Këtë sot e deklaroi zëvendës Kryeministri i qeverisë Maqedonase përgjegjës për cështje Evropiane Fatmir Besimi pas takimit me ministrin grek të punëve të jashtme Dimitris Avramopulos.
“Me qasje të sinqertë dhe të hapur, dhe me një vullnet të mirë, mund të ndërtojmë mirëbesim dhe të diskutojmë hapur mbi çështjet që ngrihen para nesh dhe për sfidat me të cilat përballemi në përcaktimet për të realizuar qëllimin tone të përbashkët”, ka deklaruar Besimi.
I pari i integrimeve evropiane, ka bërë të ditur gjithashtu se sot janë realizuar takime të suksesshme dhe frytdhënëse në nivel ekspertësh mes të dyja vendeve ku është biseduar për bashkëpunimin bilateral në sfera të ndryshmë dhe për cështje të rëndësishmë nga BE agjenda”.
“Sot këtu pash vullnet të mirë, shpresë, miqësi dhe qasje të sinqertë ndaj perspektivës Evropiane, theksoi Besimi dhe shtoi se perspektiva Evropiane, si qëllim yni strategjik, është opsion për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.
Ai ka shfrytëzuar takimin me kryediplomatin grek, për t’i uruar atij një presidencë të suksesshme me BE-në, në vitin që po vjen, duke shtuar se “është me rëndësi të thuhet se Greqia është vendi që po promovon të a.q. Agjendë 2014, që premton një uverturë në zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit”.
Avramopulos, në anën tjetër, ka deklaruar se në takim është folur për çështjet që lidhen me BE-në dhe për mënyrat si të vijohet dhe thellohet bashkëpunimi dypalësh, në kontekst të integrimit evropian dhe të sigurimit të njohurive teknike, që ka filluar prej kohësh mes të dyja vendeve.
“Dua t’ju rikujtoj se Greqia është e sinqertë në bisedimet për kontestin e emrit. Jemi të bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje do të krijojë perspektiva të mëdha bashkëpunimi, me dobi për të dy popujt, por dhe për mbarë rajonin. Është me rëndësi që teksa bisedimet vijojnë nën patronazhin e OKB-së, të ruhet maturia dhe vetëpërmbajtja”, ka deklaruar Avramopulos.
Sipas shefit të diplomacisë Greke takimet e tilla, sikundër ky i sotmi, janë shumë të dobishme dhe konstruktive, për shkak se krijojnë klimë mirëbesimi në raportet mes të dyja vendeve.
(Burimi: MIA)