Lajme
19.3.2013 08:35
Zëvendës Kryeministri për çështje evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot priti në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, shkëlqesinë e tij, z. Arben Çejku.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë e uroi zv. kryeministrin Besimi për detyrën e re dhe e falenderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e mbrojtjes dhe integrimeve drejt NATO-s, që dy vendet kanë pasur, gjatë periudhës, që z. Besimi drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional, Z. Çejku nënvizoi rëndësinë, që ka ky bashkëpunim, në zbatim të marrëveshjes së përbashkët që kanë dy vendet tona lidhur me integrimet evropiane.
Temë e bisedës ishin edhe zhvillimet aktuale, ku zv. Kryeministri Besimi dhe ambasadori Çejku u pajtuan, që këto zgjedhje lokale, të cilat janë për qytetarët dhe zhvillimin e komunave, poashtu duhen konsideruar, si një kontribut për imazhin demokratik të vendit. Ato mund te ndihmojnë për integrimin e brendshëm dhe forcimin e marrëdhënieve ndëretnike, si një premisë për vizionin integrues dhe euroatlantik të Maqedonisë.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për vizitën dhe takimet e ardhshme të zv. Kryeministrit Besimi në Tiranë, në lidhje me çështjet që kanë të bëjë me agjendën integruese të dy vendeve si dhe bashkëpunimin e mirë fqinjësor dhe rajonal.