Lajme
25.7.2014 15:17
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot kishte takim pune me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, ShS. Federika Mogerini, e cila po realizon turne pune në vendet e Ballkanit Perëndimor, në shenjë përkrahjeje të procesit të tyre eurointegrues.
Në fillim të takimit zëvendëskryeministri Besimi personalisht i uroi dhe ju falënderua Mogerinit për presidencën italiane me Bashkimin Evropian dhe axhendën me prioritete që realizon, ndër të cilat me rëndësi të veçantë për Republikën e Maqedonisë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor është zgjerimi i cili qëndron edhe si një nga prioritetet e tyre kryesore gjatë presidencës me Unionin.
Besimi gjatë takimit theksoi se integrimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti kryesor i Qeverisës së Republikës së Maqedonisë, dhe në këtë drejtim edhe në të ardhmen do të bëhen përpjekje të fuqishme në procesin reformues me qëllim të arritjes së progresit i cili do jetë i vlerësuar në raportin e vjeshtës nga Komisioni Evropian.
Vazhdimisht po punohet në reformat gjyqësore, në përforcimin e besimit në institucionet, në sundimin e ligjit, lirinë e të shprehurit, dialogun politik dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, theksoi Besimi
Besimi në takim potencoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë pret përkrahje të fuqishme nga presidenca italiane me Unionin për fillimin e procesit të negociatave dhe se çështja e fillimit të negociatave do të vendoset në rendin e ditës së mbledhjes së muajit dhjetor të Këshillit të BE-së.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Mogerini, i përshëndeti reformat që zbatohen në shtetin tonë dhe theksoi se Republika e Italisë gjatë presidencës së saj me Bashkimin Europian, seriozisht do t’i kushtohet procesit të zgjerimi të BE-së.
Mogerini në takim mes tjerash rekomandoi që Maqedonia të vazhdojë me qasjen konstruktive për zgjedhjen së çështjes së emrit me Republikën e Greqisë, dhe që të dy shtetet të tentojnë ta gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciproke, me çka Maqedonisë do t’i hapej rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Besimi potencoi se për zgjidhjen e kontestit të emrit përpos qasjes reciproke konstruktive nga të dyja palët, është i nevojshëm edhe angazhimi dhe përkrahja e vendeve anëtare të BE-së.