Lajme
17.6.2013 16:33
Zëvendës kryeministri për çështje Evropiane, Dr Fatmir Besimi sot u takua me zëvendës ndihmësin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet evropiane dhe euroaziatike zotin Filip Riker, i cili ndodhet për vizitë në vendin tonë.
Në takim u diskutua për integrimin Evropian të Republikës së Maqedonisë dhe rëndësinë e këtij procesi në drejtim të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit dhe të rajonit. Zëvendëskryeministri Besimi informoi për progresin në realizimin e angazhimeve të dialogut në nivel të lartë, si dhe përpjekjet dhe angazhimin e qeverisë në drejtim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kapërcimin e çështjeve të hapura për emrin. Për më tepër, Besimi tha se përparimi është vlersuar në mënyrë korrekte në raportin pranveror të Komisionit Evropian, duke vënë në dukje fushat ku pritet angazhim më i madh dhe progres në periudhën e ardhëshme.
Gjithashtu, pozitivisht u vlerësua formimi i komisionit hetimor për ngjarjet e 24 Dhjetorit, që sinjalizon se Republika e Maqedonisë ka kapacitete institucionale që mund të japin potencialin e tyre në përparimin e vendit, në drejtim të plotësimit të standardeve demokratike evropiane dhe kriteret politike të Kopenhagenit .
Theks të veçantë në takim kishin zhvillimet e fundit në rajon në aspektin e integrimit Evropian si dhe perspektiva Euro-atlantike, si themel për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, u përshëndet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u shpreh pritshmëri që marrëveshja do të zbatohet në kohë. Në mënyrë pozitive u vlerësua anëtarësimi i Kroacisë në BE, në drejtim të realizimit të idesë evropiane.
Në takim u përmend edhe samiti Europian në qershor në kontekst që të shqyrtohen arritjet në kuadër të dialogut në nivel të lartë. Gjithashtu në takim, u nënvizua edhe nevoja që sa më shpejtë të zgjidhet qështja e emrit me angazhim më të madh nga të dyja palët e përfshira në këtë çështje, me qëllim që perspektiva euro-atlantike e Maqedonisë të bëhet realitet.
Perspektiva euroatlantike e Ballkanit Perëndimor mbetet një interes i përbashkët i Republikës së Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.