Lajme
13.3.2025 07:26
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, kishte fjalën e tij hyrëse në punëtorinë e titulluar "Orientimi drejt së ardhmes: Mundësi dhe sfida biznesi në kuadër të Agjendës Reformuese për Ballkanin Perëndimor 2024-2027". Në punëtori morën pjesë liderë biznesi, përfaqësues të sektorit privat, pronarë dhe menaxherë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfaqësues të shoqatave të industrisë dhe palë të tjerë të interesuar të sektorit privat.
Në fjalën e tij, Ministri Murtezani theksoi përfitimet dhe sfidat kryesore të Agjendës Reformuese 2024-2027 për Maqedoninë e Veriut për sektorin e biznesit. Ai theksoi se reformat, e harmonizuara me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, janë thelbësore për nxitjen e progresit ekonomik të vendit, përmirësimin e mjedisit të biznesit, përforcimin e tranzicionit energjetik dhe digjital dhe përforcimin e sundimit të së drejtës. Ministri gjithashtu theksoi mundësitë për transformimin e sektorit privat dhe rëndësinë e përfshirjes aktive të komunitetit të biznesit në proceset reformuese.
“Agjenda Reformuese dhe Plani i Rritjes janë mundësi për transformimin e sektorit privat në vendin tonë. Idetë dhe mendimet tuaja janë kyçe në këtë periudhë transformimi. Atëherë, le të punojmë së bashku që Agjenda Reformuese të shndërrohet në rritje të vërtetë dhe të qëndrueshme për bizneset në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi MÇE Murtezani.
Në vazhdim vijon fjalimi i ministrit Murtezani:
Të nderuar liderë të biznesit, të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit, zonja dhe zotërinj,
Punëtoria e sotme "Orientimi drejt së ardhmes: Mundësi dhe sfida biznesi në kuadër të Agjendës Reformuese për Ballkanin Perëndimor 2024-2027", shënon një pikë kthese në angazhimet tona të përbashkëta për krijimin e imazhit ekonomik të vendit tonë. Nuk bëhet fjalë vetëm për korniza politike teorike, por për realitetin e prekshëm që do të përcaktojë mjedisin operativ për zhvillimin e sektorit privat dhe do të kontribuojë në rritjen ekonomike në të ardhmen.
Agjenda Reformuese 2024-2027 për Maqedoninë e Veriut, e harmonizuar në masë të madhe me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, është projektuar për të nxitë progresin ekonomik të vendit tonë. Është e rëndësishme të sqarojmë kornizën financiare: Plani i Rritjes siguron gjithsej 6 miliardë euro për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, prej të cilave 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro janë kredi koncensionare. Respektivisht, Maqedonia e Veriut do të marrë rreth 750 milionë euro përmes këtij instrumenti, dhe mjetet do të shpërndahen në varësi të progresit në realizimin e reformave kyçe. Më tej, 2/3 e shumës së caktuar për vendin tonë do të shpërndahet në Kornizën e Investimeve të Fondit të Përbashkët për Ballkanin Perëndimor për projekte investimesh, në sektorë si transporti, energjetika, digjitalizimi dhe kapitali njerëzor. Vlera totale e investimeve të propozuara është rreth 1,2 miliardë euro, ndërsa mjetet që priten nga Agjenda Reformuese llogariten rreth 440 milionë euro. Qeveria është e përkushtuar për të investuar në infrastrukturë me projekte të pjekura që do të rrisin rritjen ekonomike të vendit.
Këto reforma, të cilat fokusohen në sfera si transformimi digjital, qeverisjen e përmirësuar dhe përforcimin e sundimit të së drejtës, nuk janë vetëm formalitet burokratik. Ato janë thelbësore për krijimin e një mjedisi më konkurrent dhe më atraktiv për biznesin. Për shembull, siç është e përshkruar në konceptin e dhënë për këtë punëtori, deri në dhjetor të vitit 2025, 100 procedura administrative duhet të jenë të disponueshme në internet. Ky është një shembull i qartë i reformave dhe përfitimeve të tyre për sektorin privat.
Gjithashtu, efektet e reformave që lidhen me integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe BRE (burime të rinovueshme të energjisë) janë marrë si rezultate të përgjithshme dhe vlerësimi ka treguar se investimi në 0,8 GW BRE do ta rrisë PBB-në për 2% në nivel vjetor në afat të mesëm dhe do të krijojë 6000 vende pune me orar të plotë. Ndikimi i vlerësuar i masës për shërbimet elektronike do të rrisë vlerën e shtuar bruto për 0,46%, ndërsa PBB-në për 0,40%, që përbën një kontribut të konsiderueshëm për efikasitetin dhe produktivitetin ekonomik. Rezultati i përgjithshëm i të dy masave për mosakordimin e aftësive dhe për edukimin e të rriturve vlerësohet të sjellë përmirësim të produktivitetit për 0,55%, duke çuar në një rritje të ngjashme të PBB-së. Masa për shërbimet elektronike doganore parasheh uljen e kohës së procesimit doganorë për 2-4% dhe përpunimin më të shpejtë të deklarimit, gjë që do të kontribuojë në rritjen e vëllimit të tregtisë.
Më tej, fokusi i transformimit digjital në kuadër të Agjendës Reformuese është kyçe. Miratimi i masave në sferat e tregtisë elektronike, shërbimeve digjitale dhe sigurisë kibernetike nuk është thjesht vetëm progres teknologjik, por ndryshim thelbësor në drejtim të rritjes së efikasitetit, produktivitetit dhe konkurrencës. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kjo do të thotë qasje në tregje të reja dhe veprim më efikas, duke u ofruar mundësinë të jenë më konkurrues në nivel global.
Sidoqoftë, duhet të jemi të sinqertë për sfidat. Agjenda Reformuese kërkon aftësi në harmonizimin me rregulloret, veçanërisht në sferat siç janë standardet për mjedisin jetësor dhe ligjet për marrëdhënie pune. Edhe pse këto ndryshime janë thelbësore për qëndrueshmërinë afatgjate dhe integrimin e tregut, ato mund të paraqesin sfida fillestare për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, lidhur me shpenzimet për harmonizimin dhe rregullimet operative. Prandaj, do të duhet që në mënyrë aktive të punojmë për zbatimin e reformave, me qëllim që të zbusim të gjitha rreziqet e mundshme dhe të identifikohen zgjidhjet që do të jenë të dobishme për të gjithë.
Përveç kësaj theksi në sundimin e së drejtës dhe masat kundër korrupsionit janë të rëndësishme për krijimin e kushteve të barabarta për bizneset. Përforcimi i pavarësisë së gjyqësisë dhe transparencës në prokurimet publike do të përforcojë besimin e investitorëve dhe do të zvogëlojë pengesat burokratike, duke krijuar një mjedis biznesi më të parashikueshëm dhe më të favorshëm.
Në fund, Agjenda Reformuese dhe Plani i Rritjes paraqesin mundësi për transformimin e sektorit privat në vendin tonë. Idetë dhe mendimet tuaja janë kyçe në këtë periudhë transformimi. Atëherë, le të punojmë së bashku që Agjenda Reformuese të shndërrohet në rritje të vërtetë dhe të qëndrueshme për bizneset në Maqedoninë e Veriut.
Ju faleminderit