Lajme
16.10.2024 05:53
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot zhvilloi takim me David Oberhuber, Drejtor i Programit Rajonal në Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ku u diskutua statusi aktual i disa projekteve kyçe që janë pjesë e bashkëpunimit gjerman për zhvillim. Në fokus të bisedimeve ishte projekti bilateral “Përkrahja e strukturave negociuese për integrim në BE të Maqedonisë së Veriut”, si dhe projekti rajonal “Bashkëpunimi rajonal për integrim në BE”.
Ministri Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme gjermane, duke theksuar se Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të fuqishme strategjike bilaterale, të cilat karakterizohen me bashkëpunim të ngushtë politik, lidhje të ngushta ekonomike dhe shkëmbim kulturor dinamik. Ai theksoi rolin e rëndësishëm që ndihma gjermane për zhvillim e ka me vite në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushat kyçe të bashkëpunimit si sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal, posaçërisht përmes platformave siç është Procesi i Berlinit.
Drejtori Oberhuber riafirmoi përkushtimin e GIZ-it për mbështetjen e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, në veçanti përmes projekteve të vazhdueshme bilaterale dhe rajonale. Në këtë kontekst u potencua projekti rajonal, i cili ka për qëllim të mbështesë procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bashkëbiseduesit konstatuan se ky projekt është platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe mësimeve të nxjerra në procesin e aderimit në BE.
Murtezani dhe Oberhuber ranë dakord se projektet ekzistuese janë shtylla të rëndësishme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe në mënyrë shtesë theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet GIZ-it dhe Ministrisë së Çështjeve Evropiane.