Në kuadër të vizitës së punës në Berlin, Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në një drekë pune të organizuar nga drejtori i Akademisë Evropiane të Berlinit (European Academy Berlin), Dr. Christian Johann, kushtuar perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe së ardhmes së politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Diskutimi u përqendrua te integrimi gradual në tregun e përbashkët të BE-së dhe mundësitë që vendet kandidate të përfitojnë nga politika dhe instrumente të caktuara evropiane përpara anëtarësimit të plotë, në përputhje me përparimin e tyre në reforma.
Ministri Sali theksoi se integrimi gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit, por një mënyrë për ta bërë procesin më të besueshëm dhe më të prekshëm për qytetarët. Në këtë kontekst, ai vuri në dukje përfitimet e përfshirjes së Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit për roaming, transport, lidhshmëri dhe tregti.
Në fokus ishte edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe lidhja ndërmjet zbatimit të Agjendës së Reformave, forcimit të sundimit të ligjit dhe mundësive të reja ekonomike. U theksua rëndësia e një procesi zgjerimi të bazuar në merita, të parashikueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve.
Në këtë kuadër, u vlerësua roli i institucioneve akademike dhe i qendrave kërkimore në nxitjen e debatit të informuar për zgjerimin e BE-së dhe në forcimin e mirëkuptimit ndërmjet vendeve anëtare dhe atyre kandidate.
Ministri Sali riafirmoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, ndërsa integrimi gradual duhet të shërbejë për t’i afruar më shpejt qytetarët dhe bizneset me mundësitë e tregut evropian.