Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi vizitë pune në Lituani, në prag të kryesimit të saj me Këshillin e Bashkimit Evropian gjatë periudhës janar–qershor 2027. Sipas programit të vizitës, takimet përfshijnë këshilltaren kryesore të Presidentit, Asta Skaisgirytė, dhe konsultimet bilaterale me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Sigitas Mitkus.
Në qendër të diskutimeve ishin perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, përparimi i reformave, integrimi gradual dhe forcimi i bashkëpunimit bilateral. Ministri theksoi rëndësinë e një procesi të besueshëm, të parashikueshëm dhe të bazuar në kritere objektive, si dhe nevojën që reformat të përkthehen në përfitime për qytetarët dhe bizneset. U trajtuan zbatimi i Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përfitimet nga SEPA, mundësitë për bashkëpunim në digjitalizim, siguri kibernetike dhe administrimin e fondeve evropiane, si dhe diskutimet për përgatitjen e BE-së për zgjerim dhe Kornizën Financiare Shumëvjeçare 2028–2034. Ministri vlerësoi që zgjerimi është ndër prioritetet e shpallura të Presidencës lituaneze dhe shprehu interes për bashkëpunim më të afërt në procesin e integrimit evropian.