Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Vizitë pune e MÇE Murtezanit në Bruksel – takim me Ana-Marija Bura

Vizitë pune e MÇE Murtezanit në Bruksel – takim me Ana-Marija Bura
Ministri për Çështje Evropiane z. Orhan Murtezani, në kuadër të vizitës punuese në Bruksel, mëngjesin e sotëm zhvilloi takim me Ana-Marija Bura, këshilltare kryesore për politikë të jashtme në kabinetin e kryetarit të Këshillit Evropian, përgjegjëse për koordinimin e politikave të jashtme dhe agjendës së punëve të jashtme të BE-së. Në takim u shkëmbyen mendime lidhur me situatën aktuale dhe dinamikën e procesit të aderimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe për rrethanat më të gjëra gjeopolitike dhe rolin e politikës së zgjerimit në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
 
Ministri Murtezani e theksoi angazhimin e Qeverisë për harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit, përfshirë edhe në kontekstin e agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, si dëshmi e përcaktimit strategjik të vendit për anëtarësimin në BE dhe rolit të saj si partner i besueshëm. Ai iu referua gjithashtu edhe progresit në zbatimin e Agjendës reformuese dhe Planit për rritje, si dhe implementimin e udhërrëfyesve për administratën publike, sundimin e ligjit, pakicat dhe investimet e huaja, të cilët përbëjnë bazë për vazhdimin e procesit të aderimit dhe shfrytëzimin e instrumenteve financiare të Unionit.
 
Bura e përshëndeti progresin e Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e detyrimeve nga procesi i aderimit dhe u shpreh gatishmëria për mbështetje të mëtejshme nga ana e institucioneve të BE-së në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e mundësive të cilat i ofron Plani i ri për rritje për Ballkanin Perëndimor. Të dyja palët u pajtuan se dialogu i vazhdueshëm politik dhe qasja konstruktive janë kyçe për ruajtjen e dinamikës pozitive dhe për përshpejtimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Accessibility Menu