Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, mori pjesë në hapjen e Shkollës së 4-të Ballkanike të Pediatrisë, një ngjarje e rëndësishme që mbledh profesionistë të fushës së shëndetësisë nga rajoni.
Në fjalën e tij, ai theksoi se kjo shkollë përbën një mundësi të vlefshme për bashkëpunim dhe avancim të njohurive në shërbim të shëndetit të fëmijëve. Sipas tij, iniciativa të tilla kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve profesionale, harmonizimin e standardeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve pediatrike.
Ai nënvizoi se pediatrët kanë një rol të pazëvendësueshëm në shoqëri, duke qenë në vijën e parë të kujdesit për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, dhe për këtë arsye meritojnë mbështetje të vazhdueshme përmes edukimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në përfundim, zëvendëskryeministri Sali përgëzoi organizatorët për punën e bërë, duke shprehur mirënjohje të veçantë për kryetaren e Shoqatës së Pediatërve në Maqedoninë e Veriut, Aspazija Sofijanova, për kontributin e saj në zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm.