Republika e Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, dhe zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Zoran Dimitrovski, pas ceremonisë së sotme të pranim-dorëzimit të kryesisë me Strategjinë e Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR) në Kretë, nga sot kryeson me nismën Adriatiko-Joniane dhe EUSAIR-in. Ministri Murtezani, në ceremoninë e pranim-dorëzimit, potencoi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm politikë e jashtme, por është rrëfim i një gjenerate, duke potencuar se roli i Maqedonisë së Veriut në EUSAIR nuk është vetëm simbolik, por esencial.
Në adresimin e tij para partnerëve rajonalë dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Murtezani njoftoi se Kryesia e re do të fokusohet në lidhjen si shtytës i zhvillimit "Lidhja nuk matet vetëm me kilometra autostradash ose shpejtësinë e internetit. Ajo matet edhe me besimin të cilin e ndërtojmë ndaj njëri-tjetrit," u shpreh ministri.
Si vend koordinues i Shtyllës 2 – Lidhja e rajonit, Maqedonia e Veriut do të punojë për përforcimin e lidhjeve infrastrukturore, digjitale dhe shoqërore në mes të vendeve të rajonit Adriatiko-Jonian:
“Nuk do të ndërtojmë vetëm rrugë, por edhe ura mirëkuptimi dhe solidariteti."
Kryesia do të fokusohet gjithashtu në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionet dhe ekonominë blu, duke i vazhduar prioritetet e vendosura nga Kryesia Greke.
Në vazhdim vijon deklarata e plotë e ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezanit, nga ceremonia e pranim-dorëzimit të Kryesisë nga Greqia te Maqedonia e Veriut:
Të dashur kolegë, të dashur miq
Ekzistojnë vende, kontributet e të cilave në tregimin evropian janë të rrënjosura thellë si në histori ashtu edhe në përkushtimin e tyre të vazhdueshëm. Greqia është një nga ato vende. Njihet jo vetëm si djep i demokracisë, por edhe si vend që mbështet vazhdimisht trajektoren evropiane të rajonit. Në Selanik, në vitin 2003, e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor u bë angazhim i përbashkët. Nga atëherë rruga nuk ishte pa sfida, por vizioni i vendosur që atëherë vazhdon akoma të na udhëheqë. Sot, Greqia luan rol kyç në mbështetjen e këtij vizioni dhe e njohim kontributin e rëndësishëm të kolegëve tanë grekë në avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.
Pikërisht për këtë është e përshtatshme që këtë pranim-dorëzim ta shënojmë këtu, në Greqi - ku thellësia historike ndërthuret me bashkëpunimin bashkëkohor. Shprehim mirënjohje kryesimit Grek për lidershipin e saj të përkushtuar gjatë vitit të kaluar. Me fokus drejt zgjerimit, kohezionit social, rezistencës ekologjike dhe inovacionit në ekonominë blu, ky kryesimi dha drejtim të qartë dhe siguroi vazhdimësinë e Strategjisë. Lidershipi i Greqisë gjatë kësaj periudhe edhe një herë konfirmoi vlerën e bashkëpunimit makro-rajonal si platformë për harmonizimin jo vetëm me politika, por edhe të prioritete të përbashkëta.
Për Maqedoninë e Veriut, ky është moment historik. Për herë të parë, nga përfshirja si në Strategjinë ashtu edhe në nismën, po marrim rolin e kryesimit dhe kryesuesit. Ky tranzicion, i cili pason pesë vjet pas përfshirjes në Strategji dhe shtatë vjet pas përfshirjes në Nismë, është hap përpara i natyrshëm dhe i merituar i rrugëtimit të formësuar nga partneriteti dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Në këtë rol hyjmë me vetëdije të plotë për përgjegjësinë që marrim dhe me angazhim të qartë të udhëheqim në mënyrë i cili përfshin të gjithë. Në koordinimin tonë në Shtyllën 2, ndërlidhja e rajonit, do të përqendrohemi jo vetëm në ndërtimin e infrastrukturës, por edhe në ndërtimin e besimit. Për ne, lidhshmëria nuk kufizohet vetëm në transport apo teknologji, por është mënyrë për ti afruar ambiciet dhe mundësitë.
Ballkani Perëndimor është rajon, ëndrra evropiane e të cilit mbetet thellë e gdhendur në zemrën e tij. Për ne, integrimi nuk është vetëm kapitull i politikës së jashtme, por tregim i një brezi. Strategjitë si EUSAIR nuk janë vetëm korniza anësore, por ura kyçe që çojnë drejt arritjes së këtij qëllimi. Ky pranim-dorëzim nuk është vetëm ceremoni, por vazhdimësi - vazhdimësi e përpjekjeve të përbashkëta, vlerave të përbashkëta dhe ardhmërisë së përbashkët. Falënderojmë miqtë tanë grekë për rolin e tyre në formësimin e drejtimit që po ndjekim dhe ju ftojmë të gjithëve të hapërojmë së bashku në vitin që vjen: me besim, me ambicie dhe me unitet.
Efharisto