Lajme
01.4.2015 13:54
Në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, u mbajt diskutimi i dytë me radhë në kuadër të ciklit debatues “BE bisedime”.
Temë e diskutimit të sotëm ishte Maqedonia në Bashkimin Evropian, perspektivat dhe sfidat. Pjesëmarrës në diskutim ishin ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë dhe Ambasadori dhe shef i delegacionit të BE-së Aivo Orav. Debati u kryesua nga Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Dr. Fatmir Besimi, e gjithashtu u përfshinë edhe përfaqësues të Sekretariatit për Çështje Evropiane.
Perspektiva evropiane u theksua si prioritet i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë, vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe për vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, u theksua se edhe krahas sfidave momentale me të cilat ballafaqohet vendi, fokusimi në agjendën evropiane, përmes zbatimit dhe realizimit të progresit reformues në pjesën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, dialogut politik, marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, është e një domethënieje të veçantë për progresin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
Me rëndësi të madhe për procesin është që në periudhën në vazhdim Republika e Maqedonisë të tregojë kapacitetet e saja demokratike dhe përmes debatit të hapur të lëvizë përpara dialogun politik të asistuar.
Nga të pranishmit u theksua se në Bashkimin Evropian me vëmendje të veçantë, shqetësim dhe seriozitet në bazë ditore ndiqet zhvillimi i ngjarjeve në vend dhe se ngjarjet e fundit mund të kenë ndikim jo të mirë në Raportin për Progres.
U rekomandua që të gjitha partitë politike dhe vepruesit shoqërorë të kontribuojnë në mirëqenien dhe ardhmërinë e qytetarëve.
BE bisedimet, në organizim të Sekretariatit për Çështje Evropiane, kanë për qëllim që përmes një debati të hapur, konstruktiv dhe profesional, mes palëve të ndryshme shoqërore, vendore dhe të huaja, në tema dhe çështje aktuale, të kontribuojnë në kalibrimin e qëndrimeve të përbashkëta, udhëzimeve dhe sugjerimeve të cilat mund të çojnë deri në zgjidhje. Diskutimi i radhës është paraparë në muajin vijues dhe do të jetë në sferën e barazisë mes burrave dhe grave “Lidershipi femëror”.