Lajme
24.4.2013 11:59
Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë nuk është ekskluzivisht në kompetencë të institucioneve shtetërore, por të tërë shoqërisë, dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë ne duhet të japim kontribut që të përmbushet qëllimi, porositi zëvendëskryeministri i obliguar për integrime evropiane Fatmir Besimi në fjalimin në Konferencën "Ndërtim i diturisë për BE", që mbahet sot në Shkup.
"Integrimi evropian është proces i rëndësishëm, kompleks dhe relativisht i gjatë. Ne duhet të ndërtojmë kapacitete që ta zbatojmë procesin e integrimit të Maqedonisë në BE. Por gjithashtu, këto kapacitete duhet t"i përgatisim që të jemi konkurrent në tregun evropian, dhe të jemi të përgatitur në mënyrë të barabartë si të gjithë qytetarët dhe institucionet e tjera nga vendet anëtare të BE-së në përmbushjen dhe respektimin e standardeve dhe parimeve që sundojnë në Union", tha ai.
Ne, shtoi Besimi, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e procesit për Maqedoninë dhe për të gjitha vendet në rajon, sepse, siç theksoi ai, perspektiva evropiane u tregua si një ndër katalizatorët kryesor të cilat sollën deri te zbatimi i reformave thelbësore dhe përforcimi i standardeve demokratike. Integrimi evropian dhe euroatlantik, shtoi, është i rëndësishëm për shkak se mundëson paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
"Që ky proces të jetë efikas, neve na nevojiten resurse. Për këtë, mendoj se formimi i një rrjeti prej ekspertëve, të cilët njohuritë i kanë përfituar në institucionet e renomuara evropiane dhe punojnë në çështjet lidhur me integrimin evropian mund të japë mbështetje dhe ekspertizë të konsiderueshme në procesin negociues", tha zëvendëskryeministri Besimi.
Ambasadori britanik në Maqedoni Kristofer Ivon pajtohet se për realizim të suksesshëm të këtij procesi eurointegrues nevojitet angazhim i të gjitha resurseve, të tërë shoqërisë. Krahas institucioneve shtetërore, nevojitet edhe kontribut i individit, të sektorit civil, por edhe ndarja e njohurive të përfituara për të mirën e përgjithshme të shtetit.
"Integrimi evropian është detyra juaj, përgjegjësia e juaj. E juaj është edhe zgjidhja nëse dëshironi ta ndërmerrni përgjegjësinë. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare ka përpiluar një udhërrëfyes shumë të qartë se si Maqedonia do të lëviz drejt anëtarësimit të saj në BE, kështu që ajo e përmbushi detyrën e saj. Tani topi nuk është te ne, por te shteti", tha Ivon.
Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për politikë evropiane vlerëson se ekspertët e rinjë ndërmarrin përgjegjësinë që të japin kontribut pozitiv dhe stimulim në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë.
Konferenca "Ndërtimi i njohurive për BE" u organizua nga Instituti për politikë evropiane me mbështetje të Ambasadës britanike.
(Burim: MIA)