Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Pjesëmarrja e MÇE z.Murtezanit në Tryezën e rrumbullakët nacionale për konvergjencën e drejtësisë klimatike dhe ekologjike

Pjesëmarrja e MÇE z.Murtezanit në Tryezën e rrumbullakët nacionale për konvergjencën e drejtësisë klimatike dhe ekologjike
Ministri për Çështje Evropiane, z. Orhan Murtezani, mori pjesë në Tryezën e rrumbullakët nacionale për konvergjencën e drejtësisë klimatike dhe ekologjike, e cila sot u zhvillua në Klubin e Deputetëve në Shkup. Në adresimin e tij, ministri Murtezani theksoi se drejtësia klimatike dhe ekologjike janë prioritete strategjike për Maqedoninë e Veriut në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian. Veçanërisht ai theksoi ndikimin e rreziqeve klimatike mbi grupet e cenueshme, rëndësinë e Planit nacional energjetik dhe klimatik, nevojën për bashkëpunim rajonal, rolin e Konventës së Arhusit në rritjen e transparencës dhe rëndësinë e Planit të veprimit për drejtësi ekologjike. Murtezani porositi se vendi dëshiron të jetë kontribues aktiv drejt transformimit të gjelbër rajonal dhe evropian.
 
Në vazhdim mund ta gjeni fjalimin e plotë të Ministrit Murtezani:
 
Të nderuar të pranishëm, përshëndetje edhe nga unë.
 
Drejtësia klimatike dhe ekologjike u bënë tema të cilat e definojnë ritmin e politikës bashkëkohore evropiane, por akoma më e rëndësishëme është ajo se e definojnë dinamikën e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Kategoritë më të cenueshme, siç janë amvisëritë rurale, punonjësit në industri në tranzicion, të rinjtë dhe të moshuarit, tashmë i ndiejnë pasojat e ndotjes, kushtet ekstreme atmosferike dhe degradimit të ekosistemeve. Kjo nuk është vetëm çështje ekologjike. Kjo është çështje e barazisë, e qasjes në shëndet, stabilitetit ekonomik dhe besimit në institucione. Pikërisht për këtë arsye, veprimi klimatik është pjesë e perspektivës evropiane dhe pjesë nga vizioni zhvillimor i Maqedonisë së Veriut.
 
Në periudhën e kaluar ivestuam në përpjekje serioze për ta integruar politikën klimatike në dokumentet strategjike. Plani i ri nacional energjetik dhe klimatik e përafron planifikimin tonë energjetik ndaj modelit evropian, ku zvogëlimi i emetimeve, integrimi i burimeve të ripërtritshme dhe efikasiteti energjetik trajtohen si qëllime të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Analiza për përshtatjen klimatike në bujqësi është një hap i rëndësishëm, pasi që përforcon kapacitetin e sektorit i cili është drejtpërdrejt i ekspozuar në rreziqet klimatike. Paralelisht me këtë, institucionet tanimë po punojnë për sistematizimin e vendeve të punës “të gjelbra” dhe për kualifikime të reja të cilat do ta mbështesin tranzicionin, me çka u mundëson qasje në mundësi të reja profesionale, veçanërisht për të rinjtë.
 
Në fushëveprimin e transparencës dhe pjesëmarrjes, mekanizmat e Konventës së Arhusit gjithnjë e më shumë po shfrytëzohen nga publiku, ndërsa Ministria për Mjedisin Jetësor përpunoi numër të konsiderueshëm kërkesash për qasje deri në informacione. Kjo tregon se qytetarët kanë dëshirë gjithnjë e më të madhe për të qenë pjesë e procesit dhe se besimi në institucionet rritet kur informacionet janë të qasëshme. Këto parime janë bazë e politikës evropiane, sepse pa pjesëmarrje aktive të publikut nuk ka as zbatim të qëndrueshëm të reformave, as tranzicion të drejtë. Ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione gjithashtu do të kontribuojnë ndaj sistemit më efikas dhe më të harmonizuar. gjë që do të përforcojë llogaridhënien.
 
Është thelbësore të kuptojmë se çështjet klimatike dhe ekologjike nuk janë të izoluar në nivel nacional. Lumenjët tanë, natyra jonë, si dhe ajri ynë, i ndajmë me rajonin. Prandaj, Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, instrumentet si IPA III dhe kornizat e bashkësisë energjetike janë mundësi për konvergjencë reale rajonale. Qëllimi ynë nuk është vetëm t’i përmbushim kërkesat evropiane, por edhe të jemi pjesmarrës në krijimin e standardit rajonal i cili do të kontribuon në stabilitet, konkurrueshmëri ekonomike dhe shëndet më të mire për qytetarët. Kjo qasje është thelbi i idesë evropiane për solidaritet dhe përpjekje të përbashkët, pasi që rreziqet klimatike nuk i njohin kufij shtetërorë.
 
Kjo tryezë e rrumbullakët, si vazhdim i analizave dhe grupeve punuese të organizuara në prag të ngjarjes së sotme, na mundëson të përmbledhim prioritetet nacionale në mënyrë që do të na ndihmojë gjatë hartimit të Planit për Veprim për drejtësinë ekologjike. Procesin të cilin e udhëhiqin ekspertët, institucionet dhe organizatat qytetare është i rëndësishëm, sepse ndërton urën në mes standardeve evropiane dhe nevojave reale të bashkësive tona. Këto prioritete duhet ta orientojnë vendin drejt parandalimit më efikas, zbatimin më të mirë të politikave dhe rezistencës më të madhe klimatike.
 
Prandaj, ne sot nuk flasim vetëm për përmbushjen e standardeve, por për krijimin e vizionit i cili do ta orientojë Maqedoninë e Veriut drejt të ardhmës klimatike bashkëkohore, të shëndetshme dhe të drejtë. Besoj se me diskutim të hapur, me partneritet dhe me ambicie të qartë, mund të jemi shtet e cila jo vetëm i përafrohet BE-së, por kontribuon në mënyrë aktive në lidershipin evropian ndaj fushës klimatike dhe mjedisit në rajonin tonë.

Accessibility Menu