Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim njohës me ambasadorin e ri të Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në takim, Sali i uroi mirëseardhje dhe mandat të suksesshëm, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve me përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.
Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi ndërkufitar. Në kuadër të programit Interreg të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit për periudhën 2021–2027, me buxhet rreth 30 milionë euro, janë në zbatim 20 projekte me përfshirjen e 38 partnerëve nga Maqedonia e Veriut. Projektet mbështesin zhvillimin e rajoneve kufitare, mbrojtjen e mjedisit dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve lokale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua pikës kufitare Markova Nogë–Laimos dhe investimeve plotësuese në rajonin e Prespës. Sali theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për lidhjen ndërmjet komuniteteve, zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive ekonomike. U trajtuan gjithashtu ndërlidhësi i gazit Maqedoni e Veriut–Greqi dhe modernizimi i lidhjeve hekurudhore përgjatë Korridorit X.
Lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Sali riafirmoi përkushtimin ndaj reformave dhe zbatimit të Agjendës së Reformave. Ai nënvizoi nevojën për një proces të besueshëm e të parashikueshëm, të bazuar në merita, si dhe rëndësinë e integrimit gradual që sjell përfitime konkrete përpara anëtarësimit.
Ministri theksoi edhe mundësinë për riaktivizimin e bashkëpunimit në kuadër të Memorandumit të vitit 2019 për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës me institucionet greke mund të mbështesë forcimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimin e politikave evropiane.