Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në kuadër të vizitës së tij në Bratislavë, zhvilloi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Juraj Blanár.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme e Sllovakisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të Ballkanit Perëndimor.
Sali falënderoi ministrin Blanár për mikpritjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të Sllovakisë për mbajtjen e politikës së zgjerimit lart në agjendën e Bashkimit Evropian, duke vlerësuar veçanërisht rolin aktiv të Bratislavës në kuadër të grupit “Friends of the Western Balkans”.
“E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut është përcaktim strategjik dhe ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave dhe përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit. Njëkohësisht, është thelbësore që procesi të mbetet kredibil, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, ku përmbushja e detyrimeve të dakorduara pasohet me progres konkret”, theksoi Sali.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe për rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojën që çështjet bilaterale të trajtohen përmes dialogut, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, duke ruajtur njëkohësisht karakterin evropian dhe reformues të procesit të anëtarësimit.
Sali theksoi se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv me Bullgarinë dhe ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë, duke nënvizuar rëndësinë që procesi evropian të ofrojë parashikueshmëri dhe siguri se përmbushja e detyrimeve të dakorduara do të mundësojë avancimin drejt fazave të ardhshme të negociatave.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për integrimin gradual të vendeve kandidate në politikat dhe tregun e përbashkët të BE-së, zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimin e ekspertizës sllovake në procesin e integrimit evropian.
Sali theksoi se mbështetja e vendeve mike dhe partnere si Sllovakia është e rëndësishme si për avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ashtu edhe për ruajtjen e kredibilitetit të politikës së zgjerimit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.