Ministri për Çështje Evropiane dhe koordinator nacional për ndihmë të huaj, Orhan Murtazani, sot realizoi takim me ambasadorin jo-resident të Republikës së Koresë, me seli në Sofje, Kim Dongbae; në të cilën u diskutua për avancimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në ndihmën zhvillimore, marrëdhëniet ekonomike dhe mundësitë për projekte të ardhshme të përbashkëta në fusha me interes reciprok. Ministri Murtazani shprehu mirënjohje mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Koresë, veçanërisht për ndihmën në formë granti në vlerë rreth 440 mijë dollarë amerikanë për prokurimin e tetë automjeteve elektrike dhe tetë stacioneve karikimi për nevojat e inspektorateve shëndetësore.
Ministri u shpreh se Ministria për Çështje Evropiane, si institucion përkatës për koordinimin e procesit të integrimit evropian, ka rol kyç edhe në koordinimin horizontal të ndihmës së huaj në vend, duke përfshirë mbështetjen nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tjerë dypalësh. Në këtë drejtim, u shpreh mirënjohje për donacionin në formë granti të Republikës së Koresë vitin e kaluar, i cili mundësoi përmirësim të konsiderueshëm të infrastrukturës IT në MÇE.
MÇE Murtazani gjithashtu potencoi bashkëpunimin e suksesshëm në mes administratave doganore të dy vendeve, i realizuar përmes projekteve të përbashkëta për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e tregtisë elektronike, në vlerë rreth 700 mijë dollarë, si dhe fazën e dytë të projektit, në vlerën për rreth pesë milionë euro, e fokusuar në avancimin e sistemeve për menaxhimin e të dhënave dhe rreziqeve. Murtazani dhe Dongbae konfirmuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fusha prioritare siç janë digjitalizimi, siguria kibernetike, shërbimet shëndetësore, administrata publike, agjenda e gjelbër dhe tranzicioni energjetik.
Ministri Murtazani e informoi ambasadorin Kim për progresin rrjedhës të Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes nga vendet aleate, si Republika e Koresë, në realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit.