Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mbajti një fjalim në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin, kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në fjalimin e tij, ministri Sali theksoi rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit në përfundimin e konfliktit të vitit 2001 dhe vendosjen e themeleve për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të bazuar në dialog, barazi dhe respekt të ndërsjellë.
Ai nënvizoi se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument historik, por si një angazhim i vazhdueshëm për ndërtimin e institucioneve që u shërbejnë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.
“Trashëgimia e Marrëveshjes së Ohrit do të jetë më e fuqishme atëherë kur qytetaria e barabartë të bëhet përvojë e zakonshme në jetën e përditshme”, ishte një nga mesazhet qendrore të ministrit Sali.
Duke iu referuar përvojës së Irlandës me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë të vitit 1998, ministri vlerësoi rëndësinë e kompromisit politik, pajtimit dhe dialogut të vazhdueshëm në ndërtimin e paqes së qëndrueshme. Ai theksoi se, pavarësisht dallimeve historike dhe kushtetuese, të dyja marrëveshjet dëshmojnë se paqja kërkon institucione të besueshme dhe përgjegjësi të përbashkët.
Në këtë kontekst, ministri Sali veçoi nevojën për zbatim efektiv të të drejtave, përfaqësim të drejtë të komuniteteve, administratë profesionale, decentralizim funksional dhe mundësi të barabarta për të rinjtë.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ministri theksoi se sundimi i ligjit, mbrojtja nga diskriminimi, institucionet llogaridhënëse dhe respektimi i diversitetit janë njëkohësisht parime të Marrëveshjes së Ohrit dhe vlera themelore të integrimit evropian.
Ai nënvizoi se një proces i besueshëm i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është i rëndësishëm për të mbështetur reformat, stabilitetin dhe besimin e qytetarëve në të ardhmen evropiane të vendit.
Aktiviteti vijoi me një diskutim mbi trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit, sfidat e zbatimit të saj dhe mësimet që mund të nxirren nga përvojat e ndërtimit të paqes në Evropë.