Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migracion, Magnus Brunner. Në qendër të diskutimeve ishin menaxhimi i kufijve, migracioni, bashkëpunimi në siguri dhe ndikimi i Sistemit të Hyrje-Daljes (Entry/Exit System – EES) dhe rregullit 90/180 ditë mbi transportuesit profesionistë.
Ministri Sali theksoi se transporti rrugor është jetik për ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe zinxhirët e furnizimit me Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi nevojën për dialog të shpejtë dhe zgjidhje praktike afatshkurtra për shoferët profesionistë, paralelisht me zgjidhjet afatgjata, duke ruajtur standardet e sigurisë së hapësirës Shengen.
Në takim u theksua bashkëpunimi operacional me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), përfshirë pikën e re të koordinimit në Bllacë, si dhe lehtësimi i kalimit kufitar përmes modelit One Stop Shop në Qafë Thanë. U trajtuan gjithashtu bashkëpunimi me Europol, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve, si dhe harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së.
Sali ritheksoi se siguria e kufijve dhe qarkullimi i ligjshëm i njerëzve dhe mallrave duhet të ecin së bashku. Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë koordinimin me institucionet kompetente për avancimin e reformave dhe adresimin e sfidave praktike të transportuesve.