Kapitulli 3.12 Politika e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare përfshin një koleksion politikash që synojnë drejtpërdrejt sigurimin e ushqimit të sigurt, që nga fillimi i prodhimit të tij, deri në konsumimin e tij, ose siç thotë slogani i KE-së, "ushqim i sigurt nga fusha në pirun". Ky Kapitull mbulon gjithashtu politikën veterinare dhe fitosanitare, përmes së cilës Bashkimi Evropian kujdeset për kafshët dhe bimët e shëndetshme, të cilat përdoren në ushqimin e përditshëm.