Lajme
18.3.2016 15:28
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, z. Fatmir Besimi qëndron në vizitë pune në Republikën e Austrisë. Zëvendëskryeministri realizoi takim me Ministrin për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, z. Sebastian Kurc.
"Mbështetja e Austrisë është thelbësore për Republikën e Maqedonisë, e njëjta është përforcuar edhe me miratimin e Planit të Veprimit Austri-Maqedoni, gjatë vizitës Tuaj në vendin tonë, në shkurt të këtij viti" potencoi zëvendëskryeministri Besimi. Marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Austrisë karakterizohen me miqësi dhe mirëkuptim si dhe dialog dinamik në nivel të lartë. Të dyja palët tregojnë interes për promovim të vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit, në fusha të ndryshme.
"Në takim u diskutua edhe për procesin eurointegrues të vendit. Austria është një nga shtetet mike të Maqedonisë dhe bën një angazhim për perspektivën evropiane, si për Maqedoninë, ashtu edhe për rajonin. Maqedonia duhet të avancohet në procesin aderues sepse fillimi i negociatave është instrumenti më i mirë për zgjidhjen e sfidave kyçe", theksoi Besimi.
Gjatë bisedës Zëvendëskryeministri Besimi iu referua edhe zhvillimit të situatës politike në Maqedoni dhe rikujtoi rëndësinë e përkushtimit të vendit për përmbushjen e plotë të marrëveshjes politike të qershorit të vitit të kaluar. Ai gjithashtu potencoi përpjekjet e vendit për bashkëpunim të hapur me BE-në në menaxhimin e krizës së migrantëve, përmes të cilës tregoi se është partner serioz i Unionit Evropian. Republika e Maqedonisë e mbështet qasjen e përbashkët, të koordinuar dhe gjithpërfshirëse evropiane në menaxhimin e krizës së migrantëve.
Zëvendëskryeministri Besimi dhe Ministri Kurc shprehën kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes Republikës së Austrisë dhe Maqedonisë.
Gjatë vizitës, Zëvendëskryeministri Besimi mbajti ligjeratë në Akademinë Diplomatike në Vienë në temë: "Integrimi I Maqedonisë në BE: Sfida dhe si më tutje"