Lajme
11.3.2016 12:17
Në fokus të intervistës së sotme me zëvendëkryeministrin Besimi është dinamika e procesit eurointegrues në periudhën kur Republika e Maqedonisë po ballafaqohet me krizë politike dhe atë të migrantëve. Zëvendëkryeministri Besimi flet për përpjekjet maksimale që bëhen për përmbushjen e reformave të cilat dolën nga Raporti i KE-së për përparimin, por edhe ato nga Raporti i Pribesë dhe Marrëveshjes së Përzhinës. Besimi paralajmëron se në Ditën e BE-së me konferencë shkencore për përvojat e Maqedonisë dhe perspektivat për integrimet tona evropiane në organizim të SÇE-së dhe ASHAM-it do të shënohet jubileu 20 vjeçar nga marrëveshja e parë që Meqedonia e ka me BE-në dhe 20 vite pas themelimit të njësisë së parë organizuese për çështje evropiane në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
Zotëri Besimi, me çfarë dinamike realizohen aktivitetet që lidhen me procesin e eurointegrimit të vendit, pas Raportit të fundit të Progresit, përmbajtja e të cilit ishte e kushtëzuar edhe nga kriza politike në vend?
- Procesi i eurointegrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Maqedoninë dhe sipas kësaj edhe reformat që janë paraparë në ato procese. Përndryshe, vazhdimisht deri më tani kam përmendur dhe këtë do të doja ta them edhe një herë, klima politike në vend dhe ajo që ndodhi në Republikën e Maqedonisë në këtë periudhë sigurisht që ndikon mbi dinamikën dhe cilësinë e këtij procesi. Dhe nuk është e rastësishme që ne këtë vit pranuam Raport me rekomandim të kushtëzuar, para së gjithash për kapërcimin e krizës politike, dhe gjithashtu në raport me zbatimin e reformave urgjente të prioriteteve. Që do të thotë, unë këtë do ta vendosja në kontekst të kapërcimit të suksesshëm të krizës politike dhe dinamikës së procesit të eurointegrimeve. Një është procesi i reformave, ligjet dhe ajo që duhet të bëhet. Megjithatë, ky proces ka edhe disa aspekte të tjera. I pari, ai duhet të jetë transparent. Ne në këtë periudhë kemi disa nisma për rritjen e transparencës, publikimi i shfrytëzimeve për fondet IPA nga BE, megjithatë edhe publikimi i programit NPAA, njëjtë edhe publikimi i Planit të Veprimit për zbatimin e prioriteteve të reformave urgjente. Që do të thotë se gjithçka është e hapur, transparente. Dhe momenti i dytë është edhe gjithë përfshirja, gjithë përfshirja në raport me të gjithë institucionet dhe në raport me spektrin politik pozitë-opozitë, gjithë përfshirja në raport me sektorin civil.
Të gjithë janë të kyçur në debate dhe diskutime të ndryshme dhe, gjithashtu e fundit është ajo që e njoftuam me Këshillin për euro integrim me ASHAM-in. Në atë mënyrë do të përfshihet edhe bashkësia akademike përmes ASHAM-it dhe universitetet dhe do të kemi më shumë diskutime dhe përfshirje në vetë procesin e eurointegrimit dhe do të rrisim cilësinë. Të rinjtë gjithashtu janë qëllimi ynë. Kemi fushata të ndryshme për përfshirjen e të rinjve përmes debateve për studentë për tema të ndryshme, megjithatë edhe për më të rinjtë nga shkollat e mesme dhe fillore- njohjen me vlerat evropiane. Hyrja në BE nuk do të thotë vetëm ndërrim të ligjeve, por kjo është edhe një proces i hyrjes me vlerat tona tradicionale, vlerat kulturore. Megjithatë kjo do të nënkuptojë që edhe vlerat evropiane të pranohen në shoqërinë tonë si normë për një shoqëri të zhvilluar demokratike. Këto janë momente shumë të rëndësishme për cilësinë dhe për përparimin e mentalitetit tonë kah ai i BE-së, në respektimin e diversitetit, kah respektimi i vlerave demokratike dhe në të vërtetë atëherë do të duhej të konsiderohet që jemi pjesë e një familjeje që ka një gjë të drejtë, konkurrencë e hapur mbi bazë të parimeve transparente dhe të njëjta që do të vlejnë për të gjithë ne. Përndryshe, këtë vit Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Maqedonia do të shënojnë një jubile - 20 vite nga marrëveshja e parë që Maqedonia e ka me BE-në dhe 20 vite nga themelimi i njësisë së parë organizuese për çështje evropiane në Republikën e Maqedonisë. Në korniza të aktiviteteve për shënimin e Ditës së BE-së, planifikojmë konferencë shkencore me ASHAM edhe atë në lidhje me përvojat e Maqedonisë dhe perspektivat për integrimet tona evropiane.
Zgjedhjet me insistimin e opozitës dhe kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare u shtynë për më 5 qershor që sërish ndikoi në zbatimin e reformave. Sa vazhdimi i jostabilitetit politik në vend ndikon në procesin e eurointegrimit?
- Gjendja politike, siç theksova ka ndikim mbi drejtimin dhe cilësinë e reformave, sepse para së gjithash fokusi është në gjendjen politike në vend. Kjo gjithashtu ndikon edhe mbi kapacitetin e institucioneve vendore të cilat janë të rëndësishme për të gjithë procesin e reformave. Kur flasim për reforma, këtu dua t’i vë theks asaj që reformat janë të rëndësishme për qytetarët, për të gjithë ne, për Republikën e Maqedonisë, dhe nuk janë vetëm pjesë e mbushjes së disa formularëve në Bruksel, për të cilat Brukseli do të thoshte se Maqedonia a është e përgatitur të vazhdojë me bisedimet apo jo. Por ajo janë shumë të rëndësishme për ne, që parimet demokratike të funksionojnë në Republikën e Maqedonisë.
Përfshirë me këtë edhe zgjedhjet u bënë pjesë e kushteve që Republika e Maqedonisë i ka në vetë procesin e reformave apo në procesin e eurointegrimit. Është e rëndësishme që sa më parë të realizohen reformat me qëllim që të mundim sa më shumë të fokusohemi në reformat, por gjithashtu edhe në raport me aktivitetin ekonomik apo me investimet. Kur e përmend këtë në kontekst të dinamikës së procesit zgjedhor, sigurisht që kam parasysh që ato duet të jenë tërësisht sipas standardeve ndërkombëtare, parimeve demokratike që i kërkon BE-ja, si dhe standardet ndërkombëtare zgjedhore për shkak se procesi zgjedhor duhet të jetë i drejtë, demokratik dhe gjithëpërfshirës apo të shpreh vullnetin e qytetarëve apo të zgjedhurit të kenë legjitimitet dhe legalitet të tërësishëm dhe kështu të kemi Qeveri stabile, e cila pastaj do të mund të zbatojë reforma dhe ta shpejtojë dinamikën e rritjes ekonomike të vendit.
Si po zhvillohet procesi i implementimit të aktiviteteve të cilat u parapanë për zbatimin e reformave pas Raportit të fundit të për progresin?
- Ne në ndërkohë u përpoqëm maksimalisht të japim kontributin tonë në raport me atë që të mos ketë ngadalësim në raport me reformat. Fillimisht u shqyrtua i gjithë Raporti në lidhje me sugjerimet që i morëm nga KE-ja, prioritetet në reformat urgjente, ekspert apo Raporti i Pribesë si dhe Raporti i KE-së, i cili u shpall në fund të vitit të kaluar. Në bazë të kësaj ne krijuam një Plan veprimi i cili pastaj u shpërnda edhe tek partitë politike të opozitës. I njëjti disa herë është diskutuar edhe me përfaqësues të sektorit civil. Mbi bazë të kësaj u përgatit edhe dialogu i anëtarësimit në nivel të lartë, i cili për herë të parë u mbajt vitin e kaluar pas dy viteve pauzë. Kishte dinamikë në atë proces. Kishim disa vizita institucionale,tema ishte në raport me qeverisjen e të drejtave demokratike dhe fundamentale, mediat, gjykata, administrata publike, ndalimi i korrupsionit dhe institucione të tjera që konsideruam që ndikojnë mbi procesin e reformave.
Ai dokument jo vetëm që shihej rregullisht çdo javë në Qeveri si-Agjenda për prioritetet urgjente reformuese, kemi edhe takime të rregullta me ministritë, komisione…Ai dokument është publik. Është shpallur në ueb-faqen e Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe çdokush mund të ketë qasje në lidhje me statusin e implementimit të këtyre aktiviteteve në raport me prioritetet urgjente reformuese. Në lidhje me gjithë situatën me rëndësi është që Republika e Maqedonisë të tregojë kapacitet demokratik dhe politik për kapërcimin e saj, por gjithashtu edhe kapacitet institucional për zbatimin e gjithë agjendës së reformave. Në qershor presim që në Këshillin e BE-së të rikthehet, ashtu siç qëndron në Raport të KE-së përsëri me Raport për RM dhe është me rëndësi që Maqedonia të tregojë progres gjatë kësaj periudhe. Edhe përkrah aktualiteteve politike, reformat janë hap i rëndësishëm që pritet prej nesh. Dhe një nga kriteret sigurisht që janë zgjedhjet- që do të thotë, zgjedhje të drejta dhe demokratike që pritet të realizohen gjatë këtij viti.
A prisni edhe një rekomandim për Maqedoninë dhe zhbllokim të procesit?
- Ky rekomandim i shtatë është rekomandim i kushtëzuar. Përderisa ne kemi, siç qëndron atje, realizim të suksesshëm të marrëveshjes politike, mbajtje të zgjedhjeve demokratike, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, si dhe progres në raport me prioritetet e reformave, ne nuk do duhet të shqetësohemi se Maqedonia a do të ketë rekomandim. Megjithatë përderisa ne mbesim në cilën do prej këtyre punëve atëherë rekomandimi mund të jetë i diskutueshëm. Pra, para nesh kemi një agjendë të qartë të cilën duhet ta implementojmë dhe rekomandimi do të varet nga vetë ne se sa do të jemi të suksesshëm në realizimin e të gjithë këtyre kushteve që janë para nesh: implementimit të marrëveshjes politike, zgjedhje të suksesshme demokratike dhe progres në prioritetin e reformave.
Një nga çështjet që nuk ishte e mbyllur ndërsa qëndronte si obligim sipas marrëveshjes së Përzhinos është edhe ajo e mediave. Zyrtarisht tani nuk ka bisedime për mediat. A mund të pritet ndonjë zhvendosje në lidhje me reformat në sektorin e mediave?
- Ajo që do doja të potencojë në këtë pjesë është që përderisa diçka mund të arrihet edhe në Kuvend, të respektohet, do të llogaritet si progres i rëndësishëm. Por, procesi i reformave të mediave duhet të ekzistojë në vazhdimësi. Ajo është çështje e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë, e cila nuk është drejtpërdrejtë e lidhur me zgjedhjet, por para së gjithash si e drejtë themelore e qytetarëve në një shoqëri demokratike. Liria e shprehjes është një nga principet kyçe apo themelore të secilës demokraci. Dhe ky është proces që vazhdimisht dhe në çdo shtet demokratik duhet të shpërblehet. Maqedonia fatkeqësisht për disa vite në raportet ndërkombëtare nuk është e radhitur në nivel që do dëshironim të ishte. Gjatë kësaj periudhe janë bërë disa aktivitete dhe, para së gjithash, do të doja të thosha që sukseset më të mëdha janë arritur kur ajo është bërë bashkërisht, në një mënyrë gjithëpërfshirëse me konsultim të gjerë me përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, të mediave dhe të gjithë institucioneve shtetërore.
Kjo nuk është çështje që zgjidhet për një apo dy muaj, janë në pyetje disa vite. Fillimisht e bëmë dekriminalizimin e shpifjeve, u bë një ligj i ri që shkoi në diskutim të gjerë dhe u përgatit në pajtueshmëri me mendimin dhe sugjerimin e Komisionit të Venecias në Këshillin e Evropës, si dhe në KE dhe me shoqatat e gazetarëve. Në Shërbimin publik gjithashtu u soll kodi i etikës në pajtueshmëri me standardet e Bi-Bi-Si. Në Kodin Zgjedhor ka shumë dispozita në lidhje me rregullimin e kampanjës mediatike në kohën e zgjedhjeve. Qeveria ndaloi fushatën disa muaj më përpara. Në ndërkohë punohet në metodologjinë e cila do të jetë procedurë më transparente dhe më objektive. Kishte bisedime edhe me më shumë institucione dhe përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, dhe përfaqësues të mediave në raport me atë se në qoftë se do të kishim ndryshime çka do të duhej të bëhej. Që do të thotë, ky proces nuk ka përfunduar dhe vazhdon ende. Ka punë që janë bërë, ka mundësi që të bëhen ende më shumë, por para së gjithash, është i rëndësishëm edhe vetë impementimi i asaj që u bë pjesë e ligjeve.
Si, sipas jush, zhvillohen përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare?
- Është e rëndësishme që në pajtueshmëri me Ligjin dhe metodologjinë që ka, Komisioni Shtetëror Zgjedhor profesionalisht ta kryej punën e tij. Dhe këtu hynë kryqëzimi i bazave të të dhënave dhe krijimi dhe pastrimi apo rregullimi i Listës zgjedhore. Lista zgjedhore është shpallur kështu që qytetarët mund të shohin disa punë dhe t’i qartësojnë ato, dhe sigurisht pas kësaj edhe për ato raste ku ka nevojë edhe kontrolli në teren, të verifikohen. KSHZ-ja është e autorizuar në bazë të ligjit për këtë, ndërsa në bazë të Ligjit duhet që të gjithë institucionet tjera të përkrahin këtë proces dhe konsideroj që ato duhet të punojnë me qëllim që të arrihen afatet që janë paraparë. Është e rëndësishme të respektohen afatet, por megjithatë është i rëndësishëm kualiteti i këtij procesi. Të kemi zgjedhje me kualitet. Deri më 5 qershor u dha afat shtesë dhe duhet të punohet në tejkalimin e të gjithë çështjeve dhe problemeve të cilët eventualisht do të mund të paraqiteshin.
A do të mbahen zgjedhjet më 5 qershor?
- Institucionet duhet të bëjnë gjithçka që është në korniza të kompetencave të tyre që ato të mbahen dhe të vlerësohen si të drejta dhe demokratike.
Ende mbetet e hapur çështja për mosmarrëveshjen me fqinjin jugor, që është një nga arsyet kryesore për mos marrjen e sugjerimit për anëtarësimin e Maqedonisë në UE dhe NATO. Në prag të samitit të NATO-s në Varshavë, a mund të presim ndonjë ndryshim në drejtim të zgjidhjes?
- Kjo është një çështje e rëndësishme që e ka Maqedonia edhe për bisedimet në BE edhe për anëtarësimin në NATO dhe tanimë kjo është e qartë një kohë të gjatë. Është e rëndësishme që Republika e Maqedonisë të jetë pro aktive dhe të tregojë konstruktivitet në zgjidhjen e kësaj çështjeje të hapur me Greqinë. Nuk është e thjeshtë, por përsëri për Maqedoninë është e rëndësishme që në këtë proces të arrijë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme edhe për Maqedoninë edhe për Greqinë, e cila do të hap rrugën tonë për anëtarësim në NATO dhe BE. Kur them anëtarësim në NATO dhe BE e kam parasysh se çka ato nënkuptojnë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, nënkuptojnë stabilitet më të madh, perspektivë më të mirë dhe rritje më të shpejtë ekonomike dhe standard më të mirë për qytetarët. Ato janë punë për të cilat qytetarët deklarohen në vazhdimësi.
Është e rëndësishme që Maqedonia në atë proces të jetë konstruktive. Tani, përgjatë kësaj periudhe a do të bëhet diçka duke pasur parasysh të gjithë situatën që ekziston në Republikën e Maqedonisë me gjendjen politike e cila merr mjaftueshëm energji? Ne duhet të jemi real për atë se çka mund të bëhet gjatë kësaj periudhe, por është e rëndësishme që Maqedonia në vazhdimësi të jetë pro aktive në këtë proces sepse edhe qasja jonë vlerësohet , jo vetëm zgjidhja si do të jetë, por edhe qasja jonë kundrejt kësaj çështjeje përgjatë kësaj periudhe vlerësohet nga vendet anëtare të BE-së.
Vitin e fundit Maqedonia përballet me krizën e emigrantëve e cila gjithashtu ndikon në procese të caktuara, në imazhin e saj në botë. Sa dhe a ndikon kriza e migrantëve dhe refugjatëve në procesin e euro integrimeve?
- Nuk janë drejtpërdrejtë të lidhura, por e rëndësishme është që Maqedonia të tregojë që është vend i cili ndjek standardet ndërkombëtare për ndihmë të emigrantëve dhe që i ndjek vendimet e Brukselit. Përderisa dikush konsideron që kjo do të jetë kompensim për proceset euro integruese dhe agjendës reformuese që duhet ta zbatojmë apo gjendjen politike- jo, ato nuk janë zëvendësuese. Domethënë, në bazë të kritereve që i thash- situata politike, zgjedhje dhe reforma, dhe si sillemi me krizën e emigrantëve, gjithçka në veçanti ka rëndësinë e saj, por nuk mund të jetë zëvendësuese apo kompensim njëra për tjetrën. Maqedonia me secilën pjesë prej kësaj vlerësohet në veçanti. Kur flas për krizën e refugjatëve dhe rutën e refugjatëve, Maqedonia u gjend në linjën e parë të kësaj rute ballkanike. Pas Greqisë ato kalojnë në Maqedoni dhe vendet e Ballkanit për të vazhduar në Evropë. Është e saktë që në vitin 2015 rreth 900.000 migrantë kaluan përmes Republikës së Maqedonisë dhe vetëm prej 2016 deri më tani rreth 90.000, që do të thotë diku rreth një milion migrantë në këtë periudhë gati një vjeçare. Ato janë një milion fate, një milion jetë dhe për këtë arsye këtu është i rëndësishëm, para së gjithash, aspekti humanitar.
Maqedonia këtu tregoi që është e gatshme të dalë në krye më të gjithë standardet humanitare ndërkombëtare për menaxhimin me krizën e refugjatëve dhe transitin. Maqedonia dhe secili vend nga rajoni nuk mund të kenë zgjidhje të njëanshme. Domethënë, procesi është botërorë dhe duhet të ketë aktivitete të koordinuara apo zgjidhje të përbashkëta të vendeve nga BE, dhe me këtë edhe vendet e Ballkanit ta ndjekin atë. Është e rëndësishme që pati një samit në të cilin BE-ja dhe Turqia u morën vesh se si ta stabilizojnë numrin e emigrantëve të cilët shkojnë kah BE-ja dhe të sqarohen kriteret dhe standardet se kush mund të hyjë. Aspekt tjetër është që është me rëndësi të bëhet dallimi në mes të refugjatëve dhe migrantëve ekonomik. Që do të thotë, për refugjatët askush nuk ka mosmarrëveshje dhe është e rëndësishme të bëhet regjistrim i mirë dhe evidentim që të mund të bëhet dallimi. Përndryshe, çdo mbyllje tjetër e kufijve vetëm do të nënkuptonte zmadhim të trafikimit të paligjshëm të migrantëve, si dhe rritje të rrezikut për ata të cilët janë kategori më e ndjeshme, siç janë fëmijët dhe gratë në mesin e migrantëve. Maqedonia do të vazhdojë të jetë partnere për tejkalimin e krizës së migrantëve, por është e rëndësishme aktivitete të përbashkëta të koordinuara në korniza të BE-së dhe vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Vendet e BE-së i mbyllën kufijtë për migrantët, dhe me këtë edhe shtetet e rutës ballkanike. A ekziston rrezik që migrantët të cilët presin në Idomeni të përhapen në Maqedoni e çka në atë rast?
- Në kufi janë të pranishëm përfaqësues të BE fronteks, ka gjithashtu edhe kontroll kufitare nga disa vende nga BE. Dhe këtë ne e kërkuam me qëllim që të na ndihmojnë në raport me kontrollin kufitar dhe për këtë është e rëndësishme kur them të ketë aktivitete të vazhdueshme dhe të përbashkëta. Përderisa me sukses realizohet ajo që ranë dakord BE dhe Turqia, pastaj ditën në vazhdim Cipras dhe Turqia në raport me migrantët, do të zgjidhet edhe kjo në Idomeni, që do të thotë se këtu nuk do të kemi problem të tillë. Edhe javën e ardhshme përsëri në BE në Samit do të diskutohet për këtë edhe për shengenin. Është e rëndësishme të ketë aktivitete të koordinuara sepse për çdo ditë që zgjatë rritet pasiguria dhe zhgënjimi në mesin e refugjatëve dhe mundësia për incidente. Maqedonia në këtë rast është vetëm pjesë e gjithë zinxhirit nga Ballkani në BE. Që do të thotë, ajo është kaskadë. Unë dua të jem realist. Çdoherë ekzistojnë rreziqe për situata të tensionuara apo incidente. Mendoj që vendet nga BE do të arrijnë që atë për të cilën ranë dakord ta zbatojnë dhe do të minimizohen rreziqet e tilla. Përndryshe, realisht gjendja në vetë kampin në Idomeni është në nivel që duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe duhet të ketë zgjidhje të shpejtë.
Çka do të ndodh me ata 1.400 migrantë që janë në vendin tonë?
- Ato duhet të jenë pjesë e asaj që u ra dakord në UE në Bruksel. Përderisa funksionon ajo marrëveshje, migrantët ekonomik do të kthehen. Duhet të definohet statusi i tyre. Përderisa janë refugjatë që vinë nga konfliktet e nxehta, ato kanë status të refugjatëve dhe pranohen në BE dhe do të ndjekin atë rrugë. Por, në asnjë mënyrë nuk duhet ta harrojmë aspektin humanitar dhe faktin që refugjatët nuk janë kriminel dhe përkujdesja për ta paraqet të drejtë thelbësore njerëzore.
Sa ndihmë ka fituar Maqedonia deri më tani për nevojat në lidhje me krizën e migrantëve?
- Vitin e kaluar filluam proces të koordinimit në një konferencë të veçantë për krizën e refugjatëve për të pasur imazh më të mirë për nevojat dhe në mënyrë më efikase të menaxhohet ndihma. Vitin e kaluar kishte rreth 20 milionë euro përkrahje, prej të cilave 10,5 janë nga BE, 5,3 prej tyre janë për organizime ndërkombëtare për përkrahje humanitare të cilët u realizuan dhe 5,2 milionë euro janë për pajisje dhe gjëra të tjera që duhen drejtpërdrejt në terren. Në vazhdimësi janë procedurat e BE-së për prokurimin e tyre. Përndryshe, në vitin 2016 ka rreth 40 milionë euro ndihmë të deklaruar, nga të cilat 10 milionë euro janë nga BE si ndihmë e veçantë në lidhje me refugjatët. Kjo ishte miratuar në shkurt në Bruksel, tani pritet nga marsi ato të jenë efektive. Nga përkrahja që na jep BE për periudhën 2007-2020, përfshirë edh IPA 1 dhe IPA 2, rreth 50 milionë euro janë për kontrollin e integruar kufitar, për kontroll të kufijve, si dhe për politikat për azil, por ato janë zgjidhje sistematike. Ato janë punë që Maqedonia duhet t’i ketë që të jetë pjesë e shengenit dhe të ketë një sistem të integruar të kontrollit dhe të mund ta zbatojë politikën e azileve ashtu siç është në vendet e BE-së.
Sa është përdorimi i fondeve IPA në Maqedoni? A rritet kjo përqindje, çfarë ndërmerret për këtë dhe për çka harxhohen më shumë fondet?
- IPA është një sistem përkrahjeje që BE ua jep vendeve-kandidate. Maqedonia është ndër të parat që ka shfrytëzuar fonde nga IPA. Në periudhën 2007-2014 fondet nga IPA ishin në shumën prej 614 milionë euro për Maqedoninë dhe me ta u përkrahën, para së gjithash, zonat nga agjenda reformuese, të drejtat themelore, qeverisja e drejtësisë, gjykata dhe administrata publike, qeverisja financiare dhe ekonomike, si dhe në lidhje me zhvillimin ekonomik, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të tjera. Ne në këtë periudhë përkrah asaj që i shfrytëzojmë këto fonde kishim edhe disa qëllime. Së pari, të formojmë kapacitetet tona, institucionet tona ku do të kryheshin një pjesë e IPA fondeve dhe në të ardhmen fondet strukturore nga BE. Tani ka mbi 360 nëpunës shtetëror të cilët janë të kyçur në institucione të ndryshme në IPA strukturën. Nga 614 milionë, deri më tani kanë përfunduar 960 marrëveshje nga të gjithë institucionet.
Shfrytëzimi në këtë periudhë arrin nivelin e 61,8 për qind, në 2013 ishte rreth 34,5 për qind, dhe në fund të vitit 2014 ishte 44,2. Mbesin edhe 97 milionë nga IPA 1 për shfrytëzim deri në fund të vitit 2017. Përderisa realizohen do të mund të arrinim deri rreth 75 për qind shfrytëzim në nivel në të gjithë IPA-në 2007-2014. Arritëm edhe marrëveshje të re për IPA 2 për periudhën 2014-2020 me 645 milionë euro. Është i programuar vitit 2014 dhe 2015, kah fundi është edhe programimi i vitit 2016 në korniza të IPA 2 dhe tanimë këtë vit fillon realizimi i projekteve të para nga IPA 2. Gjithashtu e rritëm transparencën në lidhje me shfrytëzimin e IPA. Tani është bërë praktikë që në fund të çdo viti të japim raport për gjithçka që është realizuar në kornizë të IPA-s. Kemi edhe Plan veprimi se si t’i tejkalojmë dobësitë dhe si ta përmirësojmë shfrytëzimin e fondeve të këtilla në periudhën e ardhshme.
Elizabeta Veljanoska Najdeska - MIA