Lajme
23.12.2015 13:50
Realizimi i prioriteteve të ardhshme reformuese konform raportit të fundit të Komisionit Evropian, sidomos të atyre që janë vërejtje në raportin e Pribes, është tema në fokusin e bisedimeve në takimin e sotëm punues të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Fatmir Besimi në MPB, transmeton MIA.
Siç deklaroi para takimit Spasovski, në MPB janë më të interesuar për pjesën që ka të bëjë me përcjelljen e komunikimeve.
"Përcjellja e komunikimeve të jetë në rregull sipas praktikës më të mirë evropiane, me miratimin e ligjit për përcjellje të komunikimeve në të cilin do të jepen mekanizma për kontroll dhe në të vërtetë do të kemi sistem, i cili do të mundet normalisht të funksionojë sipas nevojave të RM-së, e me këtë rast të mos keqpërdoret", tha Spasovski.
Sipas tij, temë e rëndësishme është edhe lufta joselektive kundër korrupsionit dhe krimit në vend.
Ai paralajmëroi se do të bisedohet edhe për formimin e qendrës së posaçme operative-teknike për krimin e organizuar.
"Një nga vërejtjet kyçe është që të bëjmë profesionalizim, dekriminalizim dhe departizim të MPB-së", theksoi Spasovski.
Zëvendëskryeministri Besimi vlerësoi se në pajtim me raportin e fundit të Komisionit Evropian, është me rëndësi që kësi lloj mbledhjesh të bisedohet më konkretisht në raport me rekomandimet për prioritetet e ardhshme reformuese, por edhe për atë që është bërë në periudhën e kaluar në MPB. Besimi paralajmëroi se në takim do të bisedohet për pjesën e komunikimeve, si dhe për kompetencat që dalin nga Kodi zgjedhor dhe lista zgjedhore, por edhe për rekomandimet e tjera që kanë të bëjnë me kompetencat në MPB. (MIA)