Lajme
29.10.2015 18:28
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane dr. Fatmir Besimi sot realizoi takim me z-nj Rene Xhouns Bos, zëvendës ministre në Ministrinë për Punë të Jashtme në Mbretërinë e Holandës e shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoni Sh. E. Viliem Vullter Pllomill. Takimi u realizua në funksion të përgatitjes së programit dhe prioriteteve të kryesimit të ardhshëm të Presidencës Holandeze në Këshillin e BE-së e cila do të fillojë nga janari i vitit 2016.
Gjatë takimit u theksua se Holanda është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të Republikës së Maqedonisë në anëtarësimin e strukturave euroatlantike, dhe për të cilën është kyçe që Maqedonia të vazhdojë të japë rezultate të matura në zbatimin e reformave në fushat përkatëse. Në këtë kontekst u shqyrtua situata aktuale politike si dhe aktivitetet për realizimin e të gjitha prioriteteve reformuese.
Gjatë takimit Zëvendëskryeministri theksoi domosdoshmërinë e integrimit Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si garancë e vetme për stabilizim dhe prosperitet në rajon. Në atë drejtim theksoi nevojën dhe pritjen se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndër prioritetet tjera aktuale, do të gjendet në të ardhmen në agjendën e presidencës holandeze.
Në aspekt të valës së numrit të madh të migrantëve gjatë bisedës u theksua se Maqedonia bëri çdo gjë që është në mundësi dhe nën kompetencat e saj, me qëllim të menaxhimit të situatës, megjithatë edhe një herë u theksua nga ana e Zëvendëskryeministrit Besimi se është e domosdoshme ndihma nga ana e Bashkimit Evropian dhe partnerëve bilateral, në këtë drejtim Sekretariati për Çështje Evropiane organizoi takim me donatorët dhe komunitetin ndërkombëtar.
Në fund Besimi shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e konsiderueshme bilaterale të cilën Republika e Maqedonisë dhe Sekretariati për Çështje Evropiane marrin nga Mbretëria e Holandës përmes investimit në projekte për përforcimin institucional me shpresë se e njëjta do te vazhdojë edhe në të ardhmen.