Lajme
24.6.2015 13:59
Zëvendës Kryeministri i Qeverisë të Republikës së Maqedonisë përgjegjës për çështje evropiane dr. Fatmir Besimi, sot u takua me ministrin grek për punë të jashtme z. Nikos Koxias.
Në takim u diskutuan sfidat aktuale me të cilat ballafaqohen Bashkimi Evropian, Greqia dhe Republika e Maqedonisë dhe nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë në frymën e Agjendës të Selanikut, si themel për anëtarësimin e shteteve të ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian, dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillimor të mëtutjeshëm në më shumë fusha.
Nga ana e Zëvendës Kryeministrit Besimi u theksua pritja që Greqia do të mbështesë haptazi integrimin e shteteve të ballkanit perëndimor në BE, gjë që do të kontribuojë drejt përforcimit të konsiderueshëm të stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik në të gjithë rajonin.
Zëvendës Kryeministri theksoi se për ne është veçanërisht e rëndësishme dhe punojmë në drejtim të përforcimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal. Në këtë drejtim ai e përshëndeti marrjen e masave për ndërtimin e besimit të përpunuar nga ekipe të dy shteteve.
Plotësisht jemi të vetëdijshëm për sfidat të cilat qëndrojnë para nesh në nivelin nacional dhe përgjegjësinë tonë si politikanë dhe zyrtarë për të kapërcyer ato, presim që dialogu politik të vazhdojë në drejtim të kapërcimit të pengesave politike dhe besojmë se e njëjta do të kontribuojë drejt tejkalimit të krizës politike dhe vazhdimit në rrugën evropiane nëpërmjet zbatimit të reformave të reja prioritare- theksoi Besimi.
Qeveria e Republikës të Maqedonisë punon në mënyrë aktive në përpunimin dhe miratimin e planit të veprimit për aktivitetet e ardhshme reformuese, në bazë të prioriteteve të dorëzuara nga KE, raportit të ekspertëve dhe konkluzioneve të Këshillit të BE-së, dhe në përgatitje për Këshillin për stabilizim dhe asociim, në bashkëpunim me Ministrinë për punë të jashtme. Në bazë të dokumenteve të lartpërmendura fokusi reformues në periudhën e ardhshme do të jetë mbi: sundimin e ligjit dhe të drejtave themelore, depolitizimi i administratës publike, liria e shprehjes dhe reformat zgjedhore, si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe avancimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Nga ana e bashkëfolësve u potencua edhe bashkëpunimi i mirë ekonomik si dhe trendi pozitiv i zhvillimit, ku u cek që Greqia është partner tradicional dhe strategjik tregtar i Republikës të Maqedonisë dhe një nga investuesit më të mëdhenj të huaj në shtet.
Mes tjerash, u diskutua edhe dinamika pozitive zhvillimore e programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar mes Republikës të Maqedonisë dhe Greqisë. Në kuadër të këtij programi, deri më tani janë nënshkruar 7 marrëveshje financiare në shumë prej 9.93 milion euro, nëpërmjet së cilave janë zbatuar ose janë në fazë të zbatimit më shumë se 50 projekte. Të dyja palët presin trend pozitiv edhe në periudhën e ardhshme të zhvillimit dhe realizimit të projekteve me interes të përbashkët, si pjesë e programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar 2014-2020, me shumë prej 45 milion euro, që do të jenë në dispozicion nëpërmes thirrjeve të ndryshme për projekte.
U bisedua dhe për intensifikimin e bashkëpunimit në më shumë fusha në pjesën e harmonizimit të legjislacioneve tona me ato të BE-së si dhe ndarjes së përvojave të administratës greke me homologët e tyre nga ana e Maqedonisë, në baza bilaterale, por edhe përmes përdorimit të instrumenteve të BE-së siç janë projektet Twinning, TAIEX etj.
Në përfundim, bashkëfolësit shprehën shpresë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjes bilaterale si dhe zhvillimit të iniciativave aktuale.
Shkup, 24.06.2015