Lajme
27.4.2015 18:08
Zëvendës Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane dr. Fatmir Besimi është në vizitë një ditore në Republikën Federale të Gjermanisë, ku zhvilloi takim me Sekretarin Shtetëror të Ministrisë për Punë të Brendshme të Gjermanisë dr. Markus Ederer dhe me përfaqësuesin e lartë të kabinetit të kancelares Angela Merkel, zëvendës drejtorin gjeneral të Drejtorisë gjenerale për çështje politike dr. Franz Nejder, si dhe me përfaqësuesin special për Evropën Juglindore dr. Ernst Rajhel.
Në fillim të takimit Zëvendës Kryeministri Besimi dhe Sekretari Shtetëror Ederer përshëndetën marrëdhëniet e mira bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë dhe shprehën përkushtim të plotë drejt përforcimit të mëtutjeshëm të tyre në çdo nivel bazuar në interesa të përbashkëta.
Bashkëfolësit iu drejtuan konkluzioneve të fundit të Këshillit të BE-së për Maqedoninë, duke përsëritur shqetësimin për ngjarjet aktuale politike në Maqedoni dhe duke potencuar nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe të qëndrueshme politike, institucionale dhe ligjore duke respektuar parimet e shtetit ligjor dhe mekanizmave ligjore në dispozicion, duke përfshirë edhe përcaktimin e përgjegjësisë. Ata poashtu theksuan mbështetjen gjermane gjatë negociatave politike të cilat po zhvillohen me mbështetje të përfaqësuesve të parlamentit evropian. Temë e takimit ishin edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe gjendja e sigurisë në vend duke theksuar se Bashkimi Evropian është i interesuar për rajon stabil.
Bashkëfolësit, poashtu, biseduan mbi rezultatet e takimit të fundit të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku u përcaktua rrjeti kryesor i infrastruktures së transportit si bazë për përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve të ballkanit perëndimor dhe si parakusht për tërheqjen e investuesve të huaj dhe të zhvillimit të përshpejtuar ekonomik. Republika e Maqedonisë mbetet plotësisht e përkushtuar drejt përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe do të marrë pjesë në mënyrë maksimalisht aktive në këtë proces të rëndësishëm.
Zëvendës Kryeministri Besimi theksoi se procesi reformues dhe integrimi euroatlantik i shtetit është angazhim themelor i Qeverisë së Maqedonisë, duke shtuar se përkundër sfidave me të cilat përballemi në këtë çast, puna e përkushtuar drejt përparimit të standardeve në të gjitha sferat shoqërore si dhe përparimit të mundësive për të gjithë qytetarët vazhdon me të njëjtin intenzitet.
Zëvendës Kryeministri Besimi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e drejtëpërdrejtë të cilën Republika e Maqedonisë dhe Sekretariati për çështje evropiane merr nga Gjermania si partner i rëndësishëm strategjik, nëpërmjet zyrave të shoqërisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar- GIZ si dhe nëpërmjet projektit IPA twinning, një konzorcium mes tri shteteve ku Gjermania është partner kryesor, në bashkëpunim me Poloninë dhe Kroacinë.
Në përfundim, nga të dy palët u theksua rëndësia dhe nevoja për kapërcimin e sfidave me të cilat ballafaqohet shteti në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar me qëllim që Republika e Maqedonisë të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian.