Lajme
04.2.2015 15:39
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane Dr. Fatmir Besimi qëndron për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës së tij Zëvendëskryeministri Besimi realizoi takim me Hojt Brajan Ji, zëvendës ndihmës i Sekretarit Shtetëror të Departamentit Shtetëror Amerikan përgjegjës për Evropë dhe Euro-Azi, me Drejtoreshën për Ballkanin, Detin e Zi dhe Kaukaz në Këshillin Nacional të Sigurisë, Samanta Smith, si dhe me kongresmenin amerikan Eliot Engel. Në takime Zëvendëskryeministri Besimi u falënderua për mbështetjen e hapur shumëvjeçare, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për integrimet Euro-Atlantike të Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëbiseduesit diskutuan për procesin e integrimeve Euro-Atlantike, si dhe për temat dhe sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë. Ndër tjerash, u diskutua për format dhe mundësitë e shfrytëzimit të mekanizmave të cilat do të kontribuojnë për bashkëpunim më intensiv në realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit.
Nga ana e bashkëbiseduesve u theksua edhe rëndësia e procesit reformues dhe përmbushja e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, por njëkohësisht u theksua nevoja për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë.
Besimi i informoi bashkëbiseduesit se në kuadër të integrimit Evropian, Qeveria tashmë ka miratuar dhe e ndjek realizimin e Planit Aksionar të prioriteteve të përzgjedhura në bazë të rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat janë kyçe në procesin e anëtarësimit në BE, siç janë: liria e shprehjes dhe mediat, gjyqësori, marrëdhëniet ndëretnike, reformat në administratën publike, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe reforma zgjedhore. Me rëndësi të veçantë është arritja e progresit në këto fusha, duke e përfshirë edhe dialogun politik.
Në takim u theksua nevoja për përshpejtimin e proceseve integruese, për të cilat, përkrah reformave, është i nevojshëm tejkalimi i kontestit shumëvjeçar ne lidhje me emrin, për të cilën nevojitet interes dhe angazhim i të gjitha palëve të cilët mund të ndihmojnë këtë proces, në veçanti SHBA-ja. Kështu u theksua se anëtarësimi në BE dhe NATO mbetet prioritet për Republikën e Maqedonisë.
Në kuadër të vizitës Zëvendëskryeministri Besimi mori pjesë në diskutim me temë: “Maqedonia: A mund të anëtarësohet në BE?” moderuar nga analisti amerikan Daniel Server, e cila u realizua në Universitetin Xhon Hopkins.
Gjatë ditës së nesërme, zëvendëskryeministri Besimi do të merr pjesë në Mëngjesin e Lutjeve bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit të Republikës së Maqedonisë, i përbërë nga deputetë dhe personalitete tjera publike si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Gjithashtu, Zëvendëskryeministri i Qeverisë Fatmir Besimi do të jep intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën Maqedonase dhe gjuhën Shqipe.