Lajme
19.1.2015 14:09
Sot, (19.01.2015) Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane Dr. Fatmir Besimi, qëndron për vizitë pune në Britaninë e Madhe, ku ka realizuar takim me Ministrin për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, z. Dejvid Lidington, me përfaqësues të Grupit për Bashkëpunim me Maqedoninë në Dhomën e Poshtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të kryesuar nga kryetari i grupit zonja Karen Lumli, si dhe me z.Jan Kerns, drejtor dhe bashkëthemelues i rrjetit të Liderëve Evropian.
Në takimin me Ministrin për Çështje Evropiane të Britanisë së Madhe, z. Lidington, u diskutua për procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë, si dhe për arritjet e fundit të vendit në aspektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku Besimi theksoi se integrimi Euro-atlantik mbetet prioritet kyç strategjik për vendin tonë dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Është me rëndësi që Republika e Maqedonisë ka rekomandim për fillimin e bisedimeve dhe në të njëjtën kohë duhet të punohet në rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian lidhur me reformat në gjyqësor, lirinë e të shprehurit dhe mediat, dialogun politik, dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një baze të mirë për fillimin e bisedimeve zyrtare me BE-në.
Në takim u bisedua edhe për zhvillimet e fundit ekonomike dhe të sigurisë në rajon, si dhe rëndësinë e përshpejtimit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.
Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe karakterizohet me dialog të hapur dhe konstruktiv dhe me thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit në më shume sfera me interes të përbashkët. Gjithashtu, theksoi se vlerësojmë mbështetjen në aspekt të përpjekjeve për integrimin e vendit në BE, si dhe partneritetin strategjik me Britaninë e Madhe, dhe shpresojmë në bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen.
Në takime u bisedua edhe për bashkëpunimin bilateral mes Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për përkrahjen që Maqedonia e merr nga Britania e Madhe në procesin e integrimit e veçanërisht në fushën e administratës publike.
Gjatë ditës së sotme, Zëvendëskryeministri Besimi do të ketë ligjëratë dhe intervistë në shkollën Ekonomike të Londrës, në temë “Vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian: misioni të kryhet”.