Lajme
12.12.2014 16:19
Sot, në mjediset e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u mbajt Takimi koordinues i donatorëve me temë “Statusi i programimit të IPA II (2014-2020)” ku Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane dhe Koordinator Nacional për IPA, Dr. Fatmir Besimi, kishte fjalën e tij para ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të lartë të komunitetit të donatorëve të pranishëm në Republikën e Maqedonisë.
Në Takimin e sotëm koordinues, u bë një përmbledhje dhe prezantim i arritjeve rreth IPA II gjatë vitit 2014, si dhe u diskutuan hapat e ardhshëm që duhen ndërmarr për implementimin e suksesshëm të IPA II dhe ndihmave të tjera të huaja.
Gjatë fjalës së tij Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se Instrumenti për Ndihmë Para-aderuese 2014-2020, apo e njohur si IPA II, paraqet një dëshmi të fuqishme për partneritetin dhe përkrahjen e që Republika e Maqedonisë e merr nga Bashkimi Evropian.
Gjatë periudhës së fundit Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe institucionet shtetërore, në mënyrë aktive kanë punuar në krijimin e Dokumentit Nacional Strategjik IPA II në çka ishte e përfshirë edhe shoqëria civile me qëllim të arritjes së inkluzivitetit dhe transparencës më të madhe në procesin e krijimit të këtij Dokumenti.
Përmes këtij instrumenti, Republikës së Maqedonisë do t’i qëndrojnë në disponim gjithsej 664.2 milion euro, për realizimin e prioriteteve konkrete strategjike nga sfera të ndryshme mes të cilave, demokracia dhe qeverisja, sundimi i të drejtës dhe të drejtat e njeriut, mjedisi jetësor dhe aksionet klimatike, transporti, konkurrenca dhe inovimet, arsimi, punësimet dhe politikat sociale, mekanizmat horizontal për bashkëpunim ndërinstitucional, bujqësia dhe zhvillim rural.
Në kuadër të programeve shumëvjeçare në spektrorin e transportit dhe sektorit të mjedisit jetësor dhe aksioneve klimatike për periudhën 2014-2020, janë programuar nga 113 milion euro, për sundimin e së drejtës dhe të drejtave fundamentale për periudhën 2014-2016, 23.8 milion euro, për punë të brendshme në kuadër të sundimit të së drejtës për vitin 2014 - 7 milion euro, për konkurrencë dhe inovime për mbulimin e vitit 2014 - 18 milion euro, për integrime në BE për mbulimin e vitit 2014 - 8 milion euro, për programet e BE-së dhe agjencitë, për mbulimin e vitit 2014 - 6.7 milion euro.
Në fund të fjalës së tij Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se ky lloj i takimeve është me domethënie thelbësore për koordinim efikas të politikave për zhvillim, për arritjen e një angazhimi të përbashkët në përdorimin më efikas të ndihmave të huaja, me qëllim të plotësimit të prioriteteve për zhvillim të vendit.