Lajme
10.12.2014 14:18
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi gjatë vizitës së tij në Republikën e Sllovakisë, takoi Zëvendëskryeministrin e Republikës së Sllovakisë për Punë të Jashtme dhe për Çështje Evropiane, z. Miroslav Lajçak.
Në fillim të takimit, Zëvendëskryeministri Besimi dhe Lajçak diskutuan për marrëdhëniet e mira dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Sllovakisë si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të tyre, me qëllim të shkëmbimit të përvojave ne zbatimin e reformave dhe afrimin e vendit drejtë Bashkimit Evropian dhe shfrytëzimit të fondeve të BE-së.
Besimi në takim diskutoi për procesin eurointegrues të Republikës të Maqedonisë dhe përpjekjet e Qeverisë në realizimin e agjendës të BE-së, që paraqet prioritet kyç strategjik për vendin tonë.
“Samiti i dhjetorit i Këshillit Evropian paraqet një mundësi të shkëlqyer për vendet që e mbështesin Republikën e Maqedonisë në procesin eurointegrues, të shprehin mbështetjen e tyre dhe me këtë Maqedonisë ti jepet dritë e gjelbër për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE” – tha Besimi.
Rreth raportit të Komisionit Evropian për progresin e Republikës të Maqedonisë per vitin 2014, Besimi tha se është shumë e rëndësishme marrja e rekomandimit të gjashtë për fillimin e bisedimeve për aderim në BE, e cila është e rëndësishme jo vetëm vazhdimin e procesin të reformave, por edhe për ruajtjen e përqendrimit në përmbushjen e detyrimeve ndaj BE-së. Raporti i KE-së jep një pasqyrim objektiv të progresit të arritur, si dhe të rekomandimeve në sferat që kërkohet progres më i madh në të ardhmen. Lidhur me konstatimet në Raport, Besimi tha se qeveria tashmë ka të përgatitur projekt Planin Akcionar ku janë paraparë aktivitete afatshkurtra dhe afatmesme dhe kuadër kohore për zbatimin e tyre në fushat kyçe siç janë reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e shprehjes dhe mediat, marrëdhëniet ndëretnike, reformat në administratë, reformat ekonomike etj.
Mes të tjerash, zëvendëskryeministri Besimi theksoi se gatishmëria e Komisionit Evropian për vazhdimin e Dialogut për Aderim në Nivel të Lartë është me rëndësi të madhe për Republikën e Maqedonisë dhe se jemi të gatshëm ti përcaktojmë prioritetet e ardhshme në këtë drejtim, me qëllim të ruajtjes së momentit pozitiv dhe dinamikës së reformave në drejtim të afrimit të vendit drejt BE-së edhe përkundër pritjes së gjatë për marrje të datës zyrtare për bisedime.
Gjatë vizitës së tij në Republikën e Sllovakisë zëvendëskryeministri Besimi u takua edhe me kryetarin e Komisionit për çështje Evropiane z. Lubosh Blaha, ku edhe njëherë u përsërit mbështetja që Republika e Sllovakisë ia ofron Republikës së Maqedonisë në procesin eurointegrues. Të dy bashkëbiseduesit biseduan për thellim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira ekzistuese bilateral në drejtim të shkëmbimit të përvojave në sfera me interes të përbashkët.