Lajme
01.12.2014 14:37
Sot, në Ministrinë e Financave, Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane Dr. Fatmir Besimi, Ministri i Financave z. Zoran Stavrevski, Shefi i Delegacionit të BE-së, z. Aivo Orav, Udhëheqësi i Programit për Evropën Juglindore nga Banka Botërore z. Rejmond Bordo, nënshkruan Marrëveshjen për financim mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, e prezantuar nga Komisioni Evropian për Programin Nacional – pjesa e II-të për vitin 2013, me dokumentet plotësuese në kuadër të IPA - Instrumentit për Ndihmë Paraaderuese (menaxhim qendror) me buxhet prej 18 milion eurosh.
Nga ana e Zëvendëskryeministrit Besimi dhe z. Aivo Orav, u nënshkrua Marrëveshja mes Komisionit Evropian, në emër të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë për plotësimin e Marrëveshjes shumëvjeçare për financim 2007-2012, për Ndihmat IPARD nga Komponenta e 5-të e IPA-s me buxhet prej 2 milion eurosh.
Nënshkrimi i Marrëveshjes paraqet edhe një tregues për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për shfrytëzim maksimal të mjeteve që qëndrojnë në dispozicion në kuadër të Ndihmave IPA, ku sigurohen mjete plotësuese për financim të projekteve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, si një prej sektoreve me rëndësi prioritarte për zhvillimin ekonomik të Republikës së Maqedonisë.
Marrëveshja për financim të TAIB pjesa e II-të për vitin 2013, në kuadër të IPA-s (menaxhim qendror), i dedikohet programit që përbëhet prej një projekti, ku pjesa më e madhe e mjeteve në shumë prej 15.5 milion euro do të jenë të dedikuara për financimin e projektit aktual të Bankës Botërore për përmirësim të shërbimeve të komunave edhe atë në pjesën e infrastrukturës rurale ku do të mundësohet financim i projekteve infrastrukturore në mjediset rurale.
Ndërkaq, Marrëveshja për Ndihmat IPARD e Komponentës 5 të IPA-s, ka të bëjë me shumën e fundit të mjeteve që KE-ja ndan Republikës së Maqedonisë në periudhën programore të viteve 2007-2013 me shumë prej 2.1 milion euro, të cilat janë të dedikuara për shpalljen e thirrjeve publike në kuadër të Programit IPARD, me çka shuma e plotë në dispozicion tani arrin deri në 36 milion euro.
Dy programet do të shërbejnë për financimin e projekteve të ndryshme në bujqësi dhe zhvillim rural të dedikuara për investime në ekonominë bujqësore, investime në përpunim dhe marketing të produkteve bujqësore dhe të peshkimit si dhe për diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në mjediset rurale.