Lajme
19.11.2014 15:56
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane Dr. Fatmir Besimi, sot u takua me ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Sh.E. Nils Ragnar Kamsvog.
Në takim u bisedua për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë si dhe arritjet kryesore dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, të shënuara në Raportin e tetorit të Komisionit Evropian, në drejtim të tejkalimit të sfidave dhe arritjes së progresit plotësues deri në Këshillin e dhjetorit të BE-së.
Në takim, zëvendëskryeministri Besimi nënvizoi se integrimi Euro-atlantik mbetet prioritet strategjik kyç i vendi tonë, ndërkaq Qeveria edhe më tej vazhdon me përpjekje të fuqishme të zbatojë reformat e nevojshme në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike bazuar në parimin e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik dhe punësimeve.
Mes tjerash, Besimi theksoi se Norvegjinë e shohim si një partner të rëndësishëm me potenciale të mëdha për zhvillim të bashkëpunimit bilateral dhe përforcimin e kapaciteteve administrative në procesin e afrimit kah BE-ja.
Ambasadori i Norvegjisë Kamsvog, theksoi se Norvegjia fuqishëm mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Maqedonisë në këtë rrugë, përmes projekteve konkrete bilaterale për zhvillim dhe bashkëpunim sektorial.
Dy bashkëbiseduesit theksuan se marrëdhëniet e mira bilaterale dhe këmbimi i përvojave mes administratës dhe palëve të tjera të interesuara mes Republikës së Maqedonisë dhe Norvegjisë do të vazhdojnë edhe më tej dhe gjithashtu do të punohet edhe në thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushat prioritare për reforma.