Lajme
17.11.2014 12:54
Sot, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë para Komisionit për Çështje Evropiane mbahet debat publik dy ditorë me temë “IPA 2 (2014-2020) Perspektivat dhe mundësitë e shfrytëzimit”.
Në kuadër të panelit të sotëm “Në pritje të IPA 2 – Perspektivat dhe mundësitë e Republikë së Maqedonisë”, Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane dhe Koordinator Nacional i IPA-s, Dr. Fatmir Besimi kishte fjalën e tij.
Në paraqitjen e tij, Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se Instrumenti për Ndihmë Paraaderuese 2014-2020 apo e njohur si IPA 2, është dëshmi e fuqishme për partneritetin dhe përkrahjen e fuqishme që Republika e Maqedonisë e merr nga Bashkimi Evropian. Rritja e mbështetjes për IPA 2 në krahasim me IPA 1, është edhe një argument për këtë. IPA 1 (2001-2013) kishte shumë prej 614.5 milion euro duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar, ndërkaq IPA 2 për Republikën e Maqedonisë ka shumë prej 664.2 milion euro dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar mjete plotësuese do të shfrytëzohen nga fondi rajonal për zhvillim të BE-së – theksoi Besimi.
Në periudhën e fundit, Qeveria e Republikë së Maqedonisë dhe institucionet shtetërore kanë punuar në mënyrë aktive në krijimin e Dokumentit Nacional Strategjik IPA 2 dhe me qëllim të arritjes së inkluziviteteit dhe transparencës më të madhe në procesin e krijimit të Dokumentit Nacional Strategjik është përfshi edhe shoqëria civile.
Përmes këtij instrumenti, Republikës së Maqedonisë do ti qëndrojnë në dispozicion gjithsej 664.2 milion euro për realizimin e prioriteteve konkrete dhe strategjike në më shumë fusha mes të cilave, demokracia dhe qeverisja, sundimi i së drejtës dhe të drejtat e njeriut, mjedisi jetësor dhe aksionet klimatike, transporti, konkurrenca dhe inovimet, arsimi, punësimet dhe politika sociale, mekanizmat horizontal për bashkëpunim ndërinstitucional, bujqësi dhe zhvillim rural.
Në kuadër të prioritetit demokraci dhe qeverisje, në shtatë vitet e ardhshme do të alokohen 122.9 milion euro, për sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut 83 milion euro, për mjedisin jetësor dhe aksionet klimatike 112,9 milion euro, për transport 112.9 milion euro, për konkurrencë dhe inovacione 73 milion euro, për arsim, punësim dhe politikë sociale 53 milion euro dhe 106.3 milion euro për bujqësi dhe zhvillim rural.
Në fund të fjalës së tij, Zëvendëskryeministri theksoi se me qëllim të arritjes së transparencës dhe inkluzionit më të madh, Sekretariati për Çështje Evropiane në periudhën në vazhdim do t’i përkushtojë vëmendje të veçantë komunikimit të koordinuar me institucionet, me njësitë e vetëqeverisjes lokale, me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe publikun e gjerë, me çka synohet të arrihet shfrytëzim më i madh i fondeve evropiane.