Lajme
24.10.2014 15:08
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi, sot kishte fjalën e tij në shënimin e Ditës së Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Manastir me titull “Çfarë bote duam në vitin 2030”, ku morën pjesë përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përfaqësues të komunitetit akademik etj.
Zëvendëskryeministri Besimi foli për rëndësinë e 24 tetorit, Ditës së Kombeve të Bashkuara dhe rolin e KB në ballafaqimin me sfidat më të mëdha në tërë botën. Ai shtoi se Kombet e Bashkuara e kanë dëshmuar angazhimin e tyre të fuqishëm për krijimin e një bote më të mirë për jetesë, përmes miratimit të deklaratës “Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit” në vitin 2000, ku 193 vendet anëtare dhe shumë organizata ndërkombëtare u bashkuan për arritjen e qëllimeve të cilat janë: çrrënjosja e varfërisë dhe urisë, sjellja e shkollimit fillor në të gjitha vendet e botës, promovim i të drejtave të femrave, ulja e vdekshmërisë tek nënat dhe fëmijët, ballafaqimi me virusin HIV dhe sëmundjet tjera, mbrojtja dhe mirëmbajtja e mjedisit jetësor dhe ndërtimi i një partneriteti të qëndrueshëm.
Besimi, duke rikujtuar moton e Bashkimit Evropian “Të bashkuar në diversitet” tha se beson në ardhmëri ku bota do të mund të jetë e unifikuar edhe krahas gjithë larmive që posedon – “Në vitin 2030 dua: një Maqedoni në Bashkimin Evropian! Botë me më shumë barazi dhe më shumë mundësi. Botë me më shumë solidaritet dhe me shumë dashuri. Botë në të cilën do të jetojmë në liri më të madhe dhe ku do të ketë më shumë paqe!” – tha Besimi.
Ai theksoi se qytetarët e Republikës së Maqedonisë synojnë barazinë dhe unitetin dhe se me punë të përkushtuar dhe me angazhim të madh në zbatimin e agjendës evropiane dëshmojmë vizionin tonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.