Lajme
22.10.2014 17:28
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi, sot në mjediset e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë mbajti mbledhjen e tridhjetë e katërt të Komitetit të Punës për Integrim Evropian (KPEI).
Në takim morën pjesë sekretarë shtetëror të institucioneve, Sekretari Gjeneral i QRM, Sekretari i Sekretariatit për Legjislacion, Sekretari i Agjencisë për Administratë, udhëheqësit e grupeve të punës për përgatitje të Programit Nacional për Miratimin e të Drejtës së BE-së (NPAA) si dhe drejtorët e institucioneve që janë bartëse apo të përfshira në kapitujt në të cilët kryhet procesi i harmonizimit të legjislacionit.
Mbledhja iu dedikua gjetjeve të Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2014 dhe Informacionit për fillimin, mënyrën dhe kornizën kohore të revizionit të Programit Nacional NPAA për vitin 2015.
Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se është e rëndësishme që edhe në këtë Raport, Komisioni Evropian për herë të gjashtë konfirmoi rekomandimin për Republikën e Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Raporti jep fotografi reale për progresin e realizuar por gjithashtu përmban edhe rekomandime për fushat në të cilat janë të nevojshme reforma plotësuese, të cilat paraqesin bazë për identifikimin e prioriteteve në të cilat do të fokusohemi gjatë periudhës në vazhdim: dialogun politik, përmirësimin e lirisë së shprehjes dhe medieve, avancimin e pavarësisë dhe kompetencave të gjyqësorit, marrëdhëniet ndëretnike, reformat në administratën publike etj.
Theks i veçantë u vendos në përmirësimin e kritereve ekonomike, posaçërisht në kuadër të fillimit të dialogut me Komisionin Evropian mbi qeverisjen ekonomike.
Në fund ZKQRM theksoi se rëndësia operative e Raportit në periudhën në vazhdim do të shndërrohet në masa dhe aktivitete që do të jenë pjesë e revizionit të paralajmëruar të NPAA 2015.