Lajme
15.10.2014 13:50
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot realizoi dy takime pune me ambasadorin e Finlandës, Sh.T. Timo Rajakangas dhe me ambasadorin e Irlandës, Sh.T. Zherard Kor. Në të dyja takimet temë kryesore ishte Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2014.
Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se është e rëndësishme që edhe në këtë Raport, Komisioni Evropian për herë të gjashtë e konfirmon rekomandimin e Republikës së Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Njëherësh, ai i informoi ambasadorët se Qeveria është e vetëdijshme për seriozitetin e konstatimeve dhe me përkushtim punon në zgjedhjen e të gjitha sfidave me të cilat ballafaqohet shteti.
Në të dy takimet Zëvendëskryeministri i njoftoi ambasadorët me masat konkrete të cilat i ndërmerr Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) lidhur me gjetjet e Raportit. Ai potencoi se nga ana e SÇE, është përgatitur një analizë e hollësishme lidhur me konstatimet e dhëna në Raport e cila do të prezantohet në mbledhjen e nesërme të Qeverisë. Mes tjerash, shtoi se menjëherë pas marrjes së Raportit Sekretariati ka filluar organizimin e takimeve të veçanta me komunitetin akademik, sektorin joqeveritar, gjyqësorin, ministritë, shoqatat e gazetarëve si dhe me komunitetin e biznesit, me qëllim të arritjes së transparencës dhe gjithëpërfshirjes më të madhe në këtë proces.
Dy ambasadorët në takimet që u mbajtën në SÇE, shprehën përkrahjen e vendeve të tyre për Republikën e Maqedonisë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ata potencuan se vendet e tyre janë partnerë të Maqedonisë dhe janë të hapura për bashkëpunim të mëtutjeshëm.