Lajme
10.10.2014 15:18
Pas marrjes së Raportit për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2014 nga Komisioni Evropian, si dhe marrjes së rekomandimit të gjashtë për fillim të negociatave aderuese, Sekretariati për Çështje Evropiane me qëllim që të ketë gjithëpërfshirje në procesin dhe analizën e Raportit, organizon sërë diskutimesh me institucione kompetente, komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit.
Sot, në mjediset e Sekretariatit u bisedua me drejtues, pedagoge të Universiteteve kryesore të vendit: Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” -Shkup, Universitetit të Evropës Juglindore, Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit për Teknologji dhe Shkencë Informatike “Shën Apostol Pavle” – Ohër dhe Universitetit “Goce Delçev” – Shtip.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi, theksoi se kryesore është që edhe në këtë Raport kemi rekomandim për fillimin e negociatave, me rëndësi kjo për thellimin e mëtutjeshëm të procesit të reformave. Kjo gjithashtu është edhe një konfirmim se zgjerimi mbetet në agjendën e Bashkimit Evropian. Qeveria, tha Besimi, seriozisht i qaset çdo gjetjeje të Raportit. Diskutimi me komunitetin akademik është veçanërisht i rëndësishëm për shqyrtimin e të gjitha rekomandimeve dhe ideve, për tema dhe aktivitete konkrete të cilat do ti ndërmarrim bashkërisht në periudhën e ardhshme.
Nga ana e përfaqësuesve të Universiteteve u shpreh mirënjohje që janë ftuar në Sekretariatin për Çështje Evropiane, për të diskutuar rreth Raportit të Komisionit Evropian. Vetëm me punë ekipore, mobilizim dhe angazhim të personave kompetent dhe të gjithë faktorëve, mund të arrihet progres në këtë proces – u tha në takim.
Me këtë rast, bashkëbiseduesit ranë dakord për bashkëpunim të mëtutjeshëm përmes organizimit të tribunave, diskutimeve dhe debateve të përbashkëta, me qëllim të arritjes së përfshirjes dhe transparencës më të madhe, si dhe rritjes së përkrahjes dhe avancimit të procesit për aderim në Bashkimin Evropian.