Të respektohen të gjitha dallimet, po ashtu edhe ato gjuhësore është mesazhi i ngjarjes së sotme "Krijimi i murit të gjuhëve" i organizuar nga Sekretariati për Çështje Evropiane me rastin e Ditës Evropiane të gjuhëve.
Fuqia e diversiteteve qëndron në bukurinë e gjuhëve, është mesazhi të cilin e shkroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi. Sipas tij, gjuha është reflektim i diversiteteve dhe vlerave dhe përparësive të cilat do t"i çojmë në BE.
"Mendoj se jemi në rrugë të drejtë dhe në Evropë do të fitojmë jo vetëm standarde më të larta por janë edhe shumë gjëra të cilat mund t"ia shtojmë Evropës si vlerë, vetëm duhet të kemi vetëbesim, të respektohemi midis vete dhe këtë vlerë ta çojmë në BE. Ajo që është e përbashkët për të gjitha gjuhët, bukuria në të cilën janë krijuar ato si mjedis, ajo është edhe motoja e BE-së dhe diçka që Maqedonia e ka si vlerë dhe mund ta përçojmë si mesazh pozitiv në rajon për paqe, bashkëjetesë dhe prosperitet", thotë Besimi.
Në murin e mesazheve për paqe, bashkëjetesë dhe prosperitet të gjuhëve të ndryshme evropiane mesazhe kanë lënë edhe diplomatë, përfaqësues të sektorit civil, sportistë, artistë.
Mendimi i Nelson Mandelës "Nëse i flisni njeriut me gjuhën të cilën e kupton ajo do t"i hyjë në kokë, ndërsa nëse i flisni me gjuhën e tij, do t"i hyjë në zemër", është një prej mesazheve e cila midis tjerash është regjistruar sot në murin e gjuhëve.
Në kohën e globalizimit dhe uljen e numrit të gjuhëve në nivel botëror ekspertët paralajmërojnë se gjuha e shpreh historinë, kulturën, shoqërinë dhe identitetin e njerëzve, ndërsa çdo humbje e saj është humbje për njerëzimin.