Lajme
04.9.2014 14:46
Sot në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, zëvendëskryeministri i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Fatmir Besimi, prezantoi para anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, rezultatet e arrira dhe shkallën e realizimit të Programit Nacional për miratimin e së drejtës të Bashkimit Evropian – NPAA.
Besimi theksoi rëndësinë e periudhës së ardhshme për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë, duke pasur parasysh që Raporti i këtij viti i Komisionit Evropian për progresin e vendit do të shpallet për një muaj dhe njëherësh potencoi se duhet të jemi të fokusuar në zbatimin e reformave të agjendës evropiane me qëllim që të njëjtat të shënohen në Raport.
Zëvendëskryeministri Besimi, rikujtoi se me takimin e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim u rrumbullaksua cikli i 10 i nënkomiteteve në korniza të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. Njëherësh u konfirmua gatishmëria e vendit për të kaluar në fazë të dytë të MSA, por gjithashtu u shënuan edhe fushat në të cilat është e nevojshme të zbatohen reforma plotësuese – siç janë pavarësia dhe profesionalizmi i gjyqësisë, liria e shprehjes dhe mediave, implementimi i Marrëveshjes të Ohrit, avancimi i të drejtave fundamentale, vazhdimi i reformave në administratën publike etj.
Njëherësh, Besimi informoi se në periudhën e kaluar janë mbajtur takime koordinuese me ministritë përkatëse me qëllim të shqyrtimit të statusit të implementimit të aktiviteteve dhe paralajmëroi se takimet e këtilla do të vazhdojnë edhe me institucionet tjera.
Gjithsej deri më tani janë miratuar 13 ligje, tre janë në parlament, 3 në procedurë qeveritare dhe 7 janë në procedurë ndërsektoriale. Rreth akteve të parapara nënligjore janë miratuar 49, 1 është në procedurë ndërsektoriale dhe 17 janë në përgatitje e sipër – theksoi Besimi.
Për reformat në gjyqësi, mes tjerash, Besimi potencoi se nga ana e Këshillit Gjyqësor është kryer vlerësimi i rregullt vjetor i gjykatësve për vitin 2013, janë përforcuar kapacitetet e Prokurorisë Publike me pajisje për regjistrim dhe dëgjim dhe pajisje për ndjekje të rasteve. Si veçanërisht të rëndësishme e theksoi reformën e kornizës ligjore lidhur me vlerësimin e përgjegjësisë disiplinore të gjykatësve, e cila do të realizohet në bashkëpunim me KE.
Në fushën e lirisë së shprehjes dhe mediave, Besimi informoi se Qeveria bëri shqyrtim të kampanjave informative për vitin 2012, 2013 dhe gjysmën e parë të vitit 2014. Për më tepër, theksoi se është formuar grup pune ndër-ministror për sigurimin e pavarësisë më të madhe financiare të Shërbimit Radiodifuziv Publik, dhe se edhe më tej vazhdon praktika e trajnimeve të gjykatësve lidhur me zbatimin e Ligjit për përgjegjësi civile për shpifje dhe ofendim.
Në fund të prezantimit të NPAA para anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend, zëvendëskryeministri Besimi tha se kjo është vetëm një pjesë e arritjeve kyçe në zbatimin e reformave të agjendës së BE-së dhe theksoi se për shkak të rëndësisë së periudhës së ardhshme dhe duke pasur parasysh se Komisioni Evropian tani më punon në Raportin e progresit për vitin 2014, është e domosdoshme që të gjithë të tregojnë konstruktivitet maksimal dhe të fokusohemi në realizimin e prioriteteve dhe reformave kyçe me qëllim që të njëjtat të jenë të shënuara në raport, duke shtuar se nuk duhet të humbim momentin e atmosferës pozitive në Bashkimin Evropian për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, që u konfirmua me Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe prioritetet e presidencës italiane.