Lajme
03.9.2014 16:06
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, dhe në kuadër të projektit Të Rinjtë për Evropën, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi sot vizitoi shkollën Woodrow Wilson në Tetovë.
Gjatë vizitës, Zëvendëskryeministri Besimi u njoftua me mbarëvajtjen e procesit arsimor, me punën e studentëve dhe mësimdhënësve, si dhe me infrastrukturën moderne të kampusit të shkollës Wilson duke patur mundësinë për të parë personalisht angazhimin e tyre në formimin e ardhmërisë së Republikës së Maqedonisë.
Zëvendëskryeministri Besimi gjatë takimit me drejtoreshën e shkollës z-nja Elita Zylbeari Masha, theksoi se një nga kushtet kryesore për eurointegrim është cilësia e sistemit arsimor në vend dhe se shkolla Wilson i përmbush këto me përpikëri dhe sukses të madh.
Në takim u bisedua edhe për thellimin e bashkëpunimit mes Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe shkollës Woodrow Wilson, përmes projekteve konkrete veçanërisht me të rinjtë për sensibilizimin dhe rritjen e përfshirjes së tyre si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Në emër të shkollës z-nja Zylbeari Masha zëvendëskryeministrit Besimi i dhuroi një pllakë nderi dhe shtoi se vizita e sotme e zëvendëskryeministrit nuk është e rastësishme, dhe se shkolla Wilson është një bërthamë me vlera perëndimore që është në të njëjtën linjë me punën që bën z. Besimi dhe kabineti i tij.
“E ardhmja fillon këtu. E ardhmja fillon tani!” porositi zëvendëskryeministri pash shkëmbimit të pyetjeve dhe përgjigjeve me nxënësit, duke u uruar sukses në mësim dhe nxitjen e vlerave evropiane në jetën e tyre.