Lajme
23.7.2014 19:35
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot (23.07.2014) u drejtua para të pranishmëve në Mbledhjen e 11 të Këshillit për Stabilizim Asociim mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, të mbajtur në Bruksel në të cilën mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, z. Nikolla Popovski.
Me mbledhjen kryesoi Nënsekretari Shtetëror i Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Senatori Benedeto Della Vedova, ndërkaq të pranishëm ishin edhe Komisari Shtefan Fyle dhe drejtori Fernando Xhentilini.
Në takim të Këshillit për SA u theksua se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) mbetet thelbi i marrëdhënieve mes BE-së dhe Republikës së Maqedonisë deri në aderimin e vendit në BE. Njëherit parashikon kornizë kontraktuese me të cilën BE dhe vendi bashkëpunojnë dhe ndjekin zhvillimin e ngjarjeve rreth marrëdhënieve të tyre.
Këshilli diskutoi për qëllimin kryesor të vendit, fillimin e negociatave për aderim në BE dhe konfirmoi përkushtimin e fuqishëm të vendit rreth këtij qëllimi, duke marr parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian.
Zëvendëskryeministri Besimi në fjalën e tij gjithashtu theksoi se Integrimet Euro-atlantike mbeten prioritet strategjik i Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë dhe se edhe më tej do të vazhdojë të punojë në reformat dhe implementimin e prioriteteve nga Raporti i progresit dhe konkluzionet e Këshillit të Evropës siç janë reformat në gjyqësi dhe forcimi i besimit në institucione, të drejtat e njeriut, liria e të shprehurit, dialogu politik, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.
Këshilli për Stabilizim dhe Asociim e shqyrtoi zhvillimin e zgjedhjeve të muajit prill dhe potencoi vlerësimet e OSBE/ODIHR sipas të cilave të zgjedhjet ishin të kryera në mënyrë efikase dhe njëherit përshëndeti reformat zgjedhore të kryera sipas rekomandimeve të ODIHR.
Sipas praktikës së vendosur për raportim të rregullt rreth realizimit të Programit Nacional për Miratimin e të Drejtës së BE-së, zëvendëskryeministri Besimi foli për Programin Nacional të rishqyrtuar për vitin 2014 dhe theksoi se në procesin e integrimit evropian gjatë periudhës së fundit janë realizuar reforma kyçe të cilat janë pjesë e Dialogut Aderues të Nivelit të Lartë (DANL-HLAD).
Në fjalën e tij zëvendëskryeministri Besimi potencoi se Republika e Maqedonisë vazhdon me kontributin e saj pro-aktiv në avancimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet fqinje të rajonit dhe theksoi se është plotësisht e përkushtuar në tejkalimin e të gjitha çështjeve të hapura, posaçërisht me Republikën e Greqisë dhe Republikës së Bullgarisë.
Këshilli për SA në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike theksoi rëndësinë e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Këshilli për SA e përshëndeti pjesëmarrjen aktive të vazhdueshme dhe qasjen konstruktive të Republikës së Maqedonisë në bashkëpunimin rajonal, përfshirë këtu edhe nismat e Evropës Juglindore siç janë Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore si dhe presidencën aktuale të vendit me Zonë e Lirë Tregtare të Evropës Qendrore (CEFTA). Gjithashtu përshëndeti presidencën aktuale të Maqedonisë me Nismën e Evropës Qendrore (CEI).