Lajme
21.3.2014 15:03
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane dr. Fatmir Besimi sot realizoi takim pune me ShT. Cui Zhivei – ambasador i Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë, mandati i të cilit përfundon në fund të muajit prill.
Takimi u mbajt për nder të shënimit të bashkëpunimit të frytshëm dhe miqësorë që kanë realizuar dy vendet gjatë periudhës së kaluar, si dhe për dëshirën e përbashkët për vazhdim dhe thellim të këtij bashkëpunimi, me ç’rast si shenjë konfirmimi u këmbye edhe Memorandumi për bashkëpunim me të cilin RP e Kinës do ti ndajë Republikës së Maqedonisë mjete në shumë prej 20 milion juan (2.5 milion euro).
Në bashkëpunimin bilateral të deritanishëm i cili ka filluar në vitin 2007, janë realizuar më shumë projekte dhe vizita studimore, në kuadër të marrëveshjeve për bashkëpunim ekonomik dhe teknik mes dy vendeve. Deri në fund të vitit 2013, janë nënshkruar marrëveshje në lartësi prej 13,4 milion euro të dedikuara për ndërtimin e shkollave, infrastrukturë shëndetësore, furnizim me autobus shkollorë e tj.