Lajme
24.2.2014 16:27
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot kishte fjalim në projektin “Ditë e Hapur e Këshillit Euro-Atlantik”, ku u promovua ajo që është realizuar në periudhën e kaluar në fushën e integrimeve euro-atlantike dhe u paralajmëruan idetë e reja të planifikuara për periudhën në vazhdim.
Besimi në fjalën e tij theksoi rëndësinë e integrimit Euro-atlantik të vendit dhe përpjekjet që bëjnë qytetarët dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë në plotësimin e kritereve të dhëna nga BE dhe NATO si dhe për përfitimet nga anëtarësimi plotë i vendit tonë në strukturat euroatlantike. Sipas Besimit procesi i reformave dhe i afrimit të vendit kah BE dhe NATO nuk është i thjeshtë por, përplot me sfida, të cilat duhet t’i tejkalojmë së bashku.
Besimi në fjalën e tij gjithashtu potencoi reformat e fundit të bëra në fushën e sundimit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave fundamentale të njeriut, sepse, siç tha Besimi, këto janë principet themelore që ndajnë NATO dhe BE.
Ai shtoi se BE dhe NATO paraqesin interes të përbashkët për të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim religjioni dhe kombësie, duke përshkruar në këtë mënyrë vendin si një shtëpi të përbashkët të të gjithë qytetarëve ku themelin e përbëjnë marrëdhëniet e mira ndëretnike ndërsa kulmi që do të mbrojë Maqedoninë janë NATO dhe BE, ndërkaq prosperiteti, stabiliteti dhe zhvillimi janë shtyllat për të cilat duhet të kujdesen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.
Zëvendëskryeministri Besimi e përshëndeti aktivitetin e sotëm të shoqatës joqeveritare Këshilli Euro-atlantik i Maqedonisë, e cila si anëtare e Asociacionit Atlantik (ATA) realizon bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar në vetë Asociacionin Atlantik me anëtarët e tyre, me organizatat nacionale si dhe strukturat e NATO-s dhe BE-së.