Lajme
23.1.2014 15:00
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi realizoi vizitë pune në Mbretërinë e Spanjës ku u takua me kryetarin e Senatit, Pio Garsija Eskudero, ministrin e punëve të jashtme të Spanjës, Hoze Manuel Garsija-Margaljo i Marfil, si dhe kryetarin e Kongresit, Hesus Maria Posada Moreno.
Gjatë takimeve Besimi bisedoi për progresin e Republikës së Maqedonisë në realizimin e kërkesave të Komisionit Evropian dhe marrjes së rekomandimit për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, që vendi e mori për herë të pestë këtë vit, dhe me këtë rast Besimi potencoi se ky është një tregues i përkushtimit të vendit në plotësimin e kushteve për anëtarësim në Union.
Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se Republika e Maqedonisë është e përkushtuar në ngritjen dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Në rastin e çështjes së hapur me Republikën e Greqisë, ai theksoi se është i nevojshëm një angazhim më i madh nga të dyja palët dhe kyçje e komunitetit ndërkombëtar, me qëllim të arritjes sa më të shpejtë të zgjidhjes bashkërisht të pranueshme mes dy vendeve, me çka do të hapej rruga e Republikës së Maqedonisë për fillimin e negociatave me Unionin. Kjo është në dobi të gjithë rajonit si dhe BE-së.
Ministri i punëve të jashtme të Spanjës, Hoze Manuel Garsija-Margaljo i Marfil theksoi se Spanja është mbështetës i eurointegrimeve të Maqedonisë dhe zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Kryetari i Senatit të Spanjës, Garsija Eskudero lidhur me Dialogun Aderues të Nivelit të Lartë (HLAD) u shpreh se përmes kësaj mënyre Republika e Maqedonisë, në periudhën gjersa të zgjidhet çështja e hapur e emrit, nuk do të ketë ngecje, por do të punojë në realizimin e reformave për aderim në BE.
Ministri i punëve të jashtme të Spanjës, Hoze Manuel Garsija-Margaljo i Marfil, dhe kryetari i Kongresit, Hesus Maria Posada Moreno në takim me zëvendëskryeministrin Besimi theksuan nevojën për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira bilaterale, përmes këmbimit të përvojave nga sfera e kulturës, arsimit, gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit dhe shfrytëzimit të fondeve evropiane.
Besimi në takime theksoi se për Republikën e Maqedonisë është veçanërisht e rëndësishme marrja e përkrahjes nga Spanja dhe nga vendet tjera anëtare të BE-së dhe kjo do të ndihmojë në shënimin e progresit të mëtutjeshëm të vendit në integrimet euroatlantike.