Lajme
13.1.2014 13:43
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi, sot realizoi takim pune me ministrin e drejtësisë Blerim Bexheti në të cilin u diskutua për statusin e realizimit të prioriteteve kyçe në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, të cilat janë nën kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë takimit theks i veçantë u vendos në domosdoshmërinë për realizim të mëtutjeshëm të reformave në jurisprudencë dhe ndërmarrjen e hapave të mëtejmë drejtë realizimit të kriteriumeve të dhëna nga Bashkimi Evropian. U theksua rëndësia që ka Akademia për Gjykatës dhe Prokuror Publik në trajnimin dhe avancimin e profesionalizimit të gjykatësve dhe prokurorëve publik të ardhshëm, nevoja për rishqyrtimin e sistemit të vlerësimit të gjykatësve, si dhe bazat ligjore për dhënien e procedurave disiplinore dhe shkarkimin e gjykatësve. U bisedua edhe për domosdoshmërinë për ndërmarrje të masave me qëllim të tërheqjes së më shumë kandidatëve në Akademinë për gjykatës, duke përfshirë këtu edhe pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë si dhe përforcimin e kapaciteteve të prokurorisë publike.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit u këmbyen mendime rreth masave që parashikohen për sigurimin e të ashtuquajturës “dosje e rasteve” në luftën kundër korrupsionit, zbatimin e dispozitave për financimin e partive politike dhe forcimin e kapacitetit për të parandaluar korrupsionin.
Në pjesën e lirisë së të shprehurit dhe mediave, u theksuan pritjet për vazhdimin e trajnimeve të gjykatësve të cilët punojnë në rastet e shpifjes dhe ofendimit dhe zbatimin e praktikës ligjore të nenit 10 nga Konventa Evropiane për të drejta të njeriut. Zëvendëskryeministri Besimi sa i përket të drejtave fundamentale të njeriut theksoi edhe rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian.
Zëvendëskryeministri Besimi dhe ministri Bexheti diskutuan edhe për ndryshimet e legjislacionit zgjedhor dhe shkallën e realizimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, posaçërisht sa i përket ndarjes së shtetit nga partitë, transparenca dhe financimi i fushatës zgjedhore dhe pastrimi i vazhdueshëm i listës zgjedhore. Dy bashkëbiseduesit e shfrytëzuan këtë takim edhe për rishqyrtimin e rëndësisë së ligjeve dhe akteve nënligjore nën kompetenca të ministrisë, të parapara sipas Programit Nacional për miratimin e së drejtës së BE-së për vitin 2014
Në takim zëvendëskryeministri Besimi nënvizoi rëndësinë për shfrytëzim maksimal të fondeve IPA për implementimin e projekteve të rëndësishme për reformat e sistemit gjyqësor. “Përmes Instrumentit për ndihmë para-aderuese (IPA) sigurohet një kontribut i rëndësishëm për përforcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësisë, ndërkaq krahas Ministrisë së drejtësisë, shfrytëzues të ndihmave IPA deri më tani ishin edhe Gjykata Administrative, Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik të RM, Drejtoria për përmbarimin e sanksioneve, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Prokuroritë publike dhe institucionet tjera gjyqësore", - potencoi Besimi.