Lajme
13.11.2013 12:32
Sekretari Shtetëror i Sekretariatit për Çështje Evropiane Jovan Andonovski sot realizoi takim me delegacionin e përbërë prej ekspertëve dhe këshilltarëve të Kryeministrit të Republikës së Turqisë.
Kjo vizitë studimore e delegacionit turk është pjesë e projektit “Administratë publike efektive dhe produktive” e Asociacionit të ekspertëve/këshilltarëve të Kryeministrit të Republikës së Turqisë, qëllimi i të cilit është pasurimi i përvojës përmes këmbimit të ndërsjellë të informatave të kësaj fushe.
Sekretari shtetëror Andonovski i informoi për procesin e integrimit evropian duke theksuar posaçërisht reformat në administratën publike. Në këtë drejtim mysafirët u njoftuan me projektet e realizuara dhe ato të planifikuara në pjesën e ndryshimit të legjislacionit dhe sistemit të qeverisjes elektronike, koncepti i të cilave është i orientuar plotësisht kah nevojat dhe kërkesat e shfrytëzuesve të fundit (qytetarët, komuniteti i biznesit dhe të punësuarit në administratën publike).
Në takim të dyja palët shprehën kënaqësi për vizitën e realizuar në Republikën e Maqedonisë, e cila është pjesë e vizitës studimore që më parë ishte realizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë si dhe Shqipëri.