Lajme
30.9.2024 12:00
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot u takua me ambasadoren e Kroacisë në Maqedoninë e Veriut, Nives Tiganj, në të cilin ata riafirmuan miqësinë e gjatë dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, poashtu shqyrtuan mundësitë e ardhshme për bashkëpunim dy palësh. Të dyja palët theksuan rëndësinë e thellimit të partneritetit, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ministri Murtezani nënvizoi rolin e Kroacisë si partner kyç në zhvillimin e projekteve të përbashkëta dypalëshe, me theks të veçantë në negociatat e aderimit. Ai iu referua nxitjes së bashkëpunimit nëpërmjet mekanizmave tashmë të krijuar si Twining dhe TAIEX dhe vuri në dukje se Kroacia mbetet partneri ynë më i madh në projektet Twining, përkatësisht në fusha të tilla si sundimi i ligjit, ndryshimet klimatike, mjedisi jetësorë dhe siguria e aviacionit.
Murtezani dhe Tiganj diskutuan modalitetet për formalizimin e bashkëpunimit të thellë dypalësh, përmes asistencës teknike dhe të ekspertëve, e cila do të sigurojë një dialog të strukturuar dhe të vazhdueshëm me institucionet kroate, duke patur parasyshë përvojën e suksesshme integruese të Kroacisë si vendi i fundit anëtar i Bashkimit Evropian.
Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit, pranimi i Maqedonisë së Veriut në INTERREG Adrion, INTERREG Euro-Med, URBACT IV dhe INTERREG Europe hap mundësi të reja për bashkëpunimin trans-rajonal. Këto programe ofrojnë një gamë të gjërë angazhimi për pjesëmarrësit nga institucionet nacionale, organizatat joqeveritare, sektori i biznesit dhe institucionet arsimore.